2010-04-03 13:48:10

Papa në Udhën e Kryqit: duke shndërruar urrejtjen në dashuri, Kryqi i Krishtit e ndryshon botën (Tekst i plotë)


(03.04.2010 RV)Dashuria e Zotit mbi Kryq është e vetmja forcë, e aftë për ta ndryshuar botën, për ta shndërruar vdekjen në jetë; tradhtinë në miqësi; urrejtjen në dashuri: këtë nënvizoi mbrëmë Papa, në përfundim të Udhës tradicionale të Kryqit në Koloseum. Ja teksti i plotë:

Të dashur Vëllezër e Motra,

 
në lutje, me shpirtin thellësisht të prekur, përshkuam sonte Udhën e Kryqit. U ngjitëm në Kalvar me Jezusin e medituam mundimet e Tij, duke rizbuluar sa e madhe është dashuria që ai pati e vijon të ketë për ne. Por në këtë çast nuk duam të kufizohemi me një mëshirë të diktuar vetëm nga ndjenjat tona të ligështa; duam të marrim pjesë në vuajtjen e Jezusit, duam ta shoqërojmë Mësuesin tonë, duke i ndarë bashkë me Të mundimet në jetën tonë, në jetën e Kishës, për jetën e botës, nga që e dimë mirë se pikërisht në Kryqin e Zotit, në dashurinë e tij pa kufi, që dhuron gjithë vetveten, është burimi i hirit, i çlirimit, i paqes, i shëlbimit.
Tekstet, meditimet e lutjes së Udhës së Kryqit, na ndihmuan ta kundrojmë këtë mister të Mundimeve, për ta kuptuar mësimin e pamasë të dashurisë, dhuruar nga Zoti mbi Kryq, që të lindë në shpirtin tonë një dëshirë e re për shndërrimin e zemrës, duke e jetuar çdo ditë të njëjtën dashuri, e vetmja forcë, e aftë për ta shndërruar botën.
Sonte e kundruam Jezusin në fytyrën e Tij plot dhimbje, të tallur, të tjetërsuar, të shpërfytyruar nga mëkati i njeriut; nesër mbrëma do ta kundrojmë në fytyrën e tij përplot me gëzim, rrezëlluese, të ndritshme. Që kur Jezusi zbriti në varr, varri e vdekja nuk janë më vende pa shpresë, ku historia mbyllet plotësisht e dështuar, ku njeriu prek kufirin e pafuqishmërisë së tij. E Premtja e Shenjtë është dita e shpresës më të madhe, asaj që fiton pjekurinë e plotë mbi Kryq, ndërsa Jezusi vdes, ndërsa jep frymën e fundit, duke lëshuar britmën e fortë: “Atë, në duart tua po e dorëzoj shpirtin tim!”(Lk.23,36). Duke e dorëzuar jetën e ‘dhuruar’ në duart e Atit, Ai e di se vdekja e tij bëhet burim jete, ashtu si fara në tokë, që duhet të copëtohet, për të lindur filizi i ri: “Po, kokrra e grurit, e rënë në tokë, copëtohet, kalbet, vdes, e prandaj mund të japë fryt. Që nga dita kur Krishti u lartua, Kryqi, që duket si simbol i braktisjes, i vetmisë, i dështimit, u bë fillim i ri: nga thellësitë e vdekjes, lartohet premtimi i jetës së pasosur. Mbi Kryq shkëlqen sot drita ngadhënjyese e agimit të Pashkëve.
Në heshtimin e kësaj nate, në heshtjen, që mbështjell të Shtunën e Madhe, të prekur nga dashuria e pakufishme e Zotit, jetojmë në pritje të agimit të së tretës ditë, agimit të fitores së Dashurisë së Zotit, agimit të dritës, përmes së cilës sytë e zemrës mund ta shikojnë në mënyrë të re jetën. Vështirësitë, vuajtjet, dështimet, zhgënjimet, hidhërimet, që duken sikur do të shembin gjithçka, ndriçohen nga shpresa. Akti i dashurisë mbi Kryq, pranohet nga Ati e drita vezulluese e Ngjalljes mbështjell e shndërron gjithçka: nga tradhtia mund të lindë miqësia; nga mohimi, falja; nga urrejtja, dashuria!O Zot, na ndihmo ta mbartim me dashuri kryqin tonë, kryqet tona të përditshme, të sigurtë se ndriçohen nga drita e Pashkëve Tua. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.