2010-04-03 11:24:46

Maria tek këmbët e Kryqit është burim jete në rrugën e së vërtetës


(03.04.2010 RV)Kryqi është vendi i dhimbjes e i dashurisë. Tek këmbët e Kryqit shikojmë Marinë, pranë të Birit në grahma e në pritje të ringjalljes. Thua mundet mendja njerëzore të përfytyrojë një ikonë më të dhimbshme se kjo e Nënës, pushtuar nga një tronditje e papërshkrueshme, në sa kundron si shuhet i Biri mbi Kryq?
Kësaj pyetjeje i përgjigjet Atë Ermano Toniolo, rregulltar i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Koncili II i Vatikanit na jep një figurë të mrekullueshme të Virgjërës Mari, e cila nuk është nënë e zakonshme. Është Ajo, që shtegtoi gjatë në udhët e fesë, jo vetëm si grua, por sidomos si Nënë e Birit të Zotit. E ky shtegtim e çoi te këmbët e Kryqit në natën e gjatë e të errët të fesë, pasi e pati ndjekur të Birin për 33 vjet radhas. Qëndroi me kokën lart, duke vuajtur thellësisht me Birin e vetëm, duke e shoqëruar me shpirt amtar në këtë orë të trishtë të flijimit. Kjo është figura, që na jep Koncili. Nëna te Këmbët e Kryqit e kreu rrugën e saj të fesë e të dashurisë.

Pyetje: - Në Ungjill vihet theksi mbi amësinë e Marisë. E amësi do të thotë ta mbrosh, ta ruash, ta bësh të rijetojë jetën, sipas shembullit të Zojës së Bekuar…

Përgjigje: - Po, por amësinë e Marisë mund ta shikojmë në aspekte të ndryshme! Është amësi, që nis duke e ruajtur, që në kraharor, mugullin e një jete në zanafillë. Nuk është mugulli i një jete thjeshtë njerëzore, është i Birit të Zotit, që mishërohet në kraharorin e saj. E Ajo, duke e veshur me mishin e gjakun e vet të papërlyer, e shoqëroi që në çastin e parë, e nxori në dritë dhe e pa duke u rritur përpara syve. E u rrit edhe vetë pranë Tij. U rrit në përmasën e amësisë. U rrit deri në atë masë, sa të arrinte në lartësinë e Kryqit. Në Kryq amësia e saj u formua përfundimisht. Ajo, që kundrojmë tek këmbët e Kryqit është “NËNA!”.

Pyetje: - Si e përshkruan Papa Marinë tek këmbët e Kryqit?

Përgjigje: - Në enciklikën e tij “Spe salvi” Benedikti XVI shkruan se në Orën e Kryqit, kur gjithçka iu duk si dështim, ku e pa pasardhësin e Davidit, Birin e Hyjit, duke vdekur si mjeran, të tallur e të pështyrë, ndërmjet hajdutëve, në Orën, kur buzët e tij të përgjakura shqiptuan fjalët: “Grua, ja yt bir!”, pikërisht në këtë Orë në mendjen e saj jehuan rishtas fjalët e Engjëllit: “Mos ki frikë, Mari!”. E kështu Nëna bëhet figurë e fesë së patundshme, figurë e shpresës, bazuar mbi fjalën e natyrën e Birit, mbi besnikërinë e Atit e të planit të tij të patundshëm të dashurisë për ne. “Mos ki frikë, Mari!”. Kur gjithçka duket sikur merr fund, pikërisht atëhere nis gjithçka, sepse troket gjithmonë ‘Ora e Zotit”, vjen gjithmonë ‘e Treta ditë’, dita e dashurisë, që Ati është gati t’ua dhurojë të gjithë bijve të vet!

Pyetje: - Gënjeshtrat, që njerëzve u shkojnë aq për shtat e që e çuan Zotin në kryq, sot kanë vënë në shënjestër Kishën e Papën.... Si mund ta lexojmë këtë kohë, parë me sytë e Marisë?

Përgjigje: - Mendoj se një Nënë di gjithnjë të vuajë, të kuptojë e ta presë kthimin e bijve. Nënat nuk dënojnë, aq më pak, Nëna e të shëlbuarve: janë të gjithë bijtë e saj. Si ai që sulmohet padrejtësisht, në krye të Kishës, ashtu edhe ata, që e sulmojnë. Janë të gjithë bijtë e saj. Edhe kryqëzuesit u bënë bijtë e saj, ndërsa talleshin me atë, që po jepte shpirt, me Zotin e tyre. Sot sytë e Zojës së Bekuar mund të mjegullohen nga lotët e zemra e saj, nga trishtimi. Por Nënës nuk do t’i mungojë kurrë aftësia për të kuptuar, për të pasur mëshirë, për t’u lutur që të gjithë të rikthehen – siç kujton shpesh herë Papa – në rrugën e së vërtetës e që të kenë jetë!







All the contents on this site are copyrighted ©.