2010-04-03 11:24:56

E Shtuna e Madhe dita e tretë e Treditëshit dhe Nata e Shenjtë e Pashkëve.


(03.4.2010 RV)E Shtuna e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re.
Në këtë Natë të Shenjtë, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrijnë zgjuar në uratë.
Në këtë Natë të Shenjtë, e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në Sakramente;
Krishti i Ngjallur e përforcon në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë në fitoren e Tij mbi vdekje e na ofron mundësinë të jetojmë me Të në Hyjin Atë.
Kremtimi i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishterimit, është qendra e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar.
Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit.
E liturgjia e Vigjiljes së Pashkëve rregullohet në disa pjesë, rite e simbole, që shprehin e kumtojnë mesazhin qendror të Natës së Pashkëve, e cila quhet dhe konsiderohet me të drejtë si “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”, mesazhin e fitores së Jezu Krishtit mbi vdekje, mesazhin e Ngjalljes së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.