2010-04-02 18:18:56

Udha e Kryqit 2010 në Koloseum me Papën


(02.04.2010 RV)Sonte, e Premtja e Madhe, në sa ne fillojmë transmetimin e programit, Benedikti XVI përgatitet për të nisur, në orën 21.15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum.
Autor i teksteve, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, është Kardinali Kamilo Ruini. Përveç kopjeve të shumta në librari, 15 mijë prej tyre po shpërndahen në Koloseum, ku mijëra shtegtarë e besimtarë po ndjekin kremtimin e Udhës së mundimshme të Zotit tonë drejt Kalvarit. Ilustrimet, që pasurojnë librin, janë riprodhim i Udhës së Kryqit, realizuar në gjysmën e parë të viteve ‘800, nga piktori Jozef Fuhrih. Ndodhen në Kishën e Shën Gjon Nepomuçenit, në Vjenë.

Kardinali Ruini propozon temat e dhimbjes e të shpresës.
Së pari autori i Udhës së Kryqit na fton të kujtojmë se Jezusi u kryqëzua për shkak të mëkateve tona, si na e shpjegojnë Shkrimet e Shenjta, rrëfimet e të cilave i ndjek e gjithë kjo Udhë Kryqi. Prej këndej buron ftesa tjetër: duhet të pranojmë se e keqja e mëkati banojnë në shpirtin tonë e se nuk duhen harruar. E edhe ftesa për ta përshkuar Udhën e Kryqit si shtegtim pendese, dhimbjeje e kthese, që në çastin kur Krishtit ia zhveshin rrobat, e deri kur e gozhdojnë mbi Kryq. Na takon ne të zhvishemi aty, te këmbët e Kryqit: të zhvishemi nga përpjekja e kotë për t’u dukur më të mirë se jemi, të zhvishemi nga hipokrizia, që na shoqëron në udhën tonë të përditshme, të zhvishemi nga gënjeshtra, që i ngatërron keqas rrugët njerëzore, të ecim me sinqeritet së paku në këtë Udhë, që kërkon shumë, por edhe premton shumë: premton jetën e pasosur, ëndrra më e bukur e njerëzimit në shekuj.
Udha e Kryqit do të përshkohet në Koloseum, duke ndjekur 14 Stacionet tradicionale. Nisi me ‘Hyrjen’:
“Kur Filipi Apostull iu lut: “Zot, na e trego Atin”, Jezusi iu përgjigj. “Jam prej kohe me ju e nuk më ke njohur ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin”.
Sonte, në sa shoqërojmë me zemër Jezusin, që ecën nën peshën e rëndë të kryqit, nuk duhet t’i harrojmë këto fjalë. Edhe kur mbart Kryqin, edhe kur vdes mbi kryq, Jezusi është Biri i Zotit, është një gjë e vetme me Hyjin Atë. Duke parë fytyrën e tij të tjetërsuar nga goditjet, nga lodhja, nga vuajtja shpirtërore, ne shikojmë fytyrën e Atit. Madje pikërisht në këtë çast lumnia e Zotit, drita e tij tepër e fortë për çdo sy njerëzor, bëhet gjithnjë më e dukshme mbi fytyrën e Jezusit. Në këtë qenie të mjerë, të cilën Pilati, duke shpresuar se do ta mëshironin, ua tregoi Judenjve me fjalët: “Ja njeriu” (Gjn 19,5) duket madhështia e vërtetë e Hyjit, ajo madhështi misterioze, të cilën asnjë njeri nuk mund ta përfytyronte.
Por në Jezusin e Kryqëzuar zbulohet edhe një madhështi tjetër, madhështia jonë, madhështia, që i përket çdo njeriu, thjeshtë sepse ka një fytyrë e një zemër njerëzore. Shkruan Shën Andou i Padovës: “ Krishti, që është jeta jote, rri i varur para teje, që ti të shikohesh në Kryq , si të ishe para një pasqyre. Në se do t’ia ngulësh sytë, do të shikosh menjëherë sa i madh është dinjiteti yt e vlera jote. Në asnjë vend tjetër njeriu nuk mund të kuptojë sa vlen, më shumë se kur shikon vetveten në pasqyrën e Kryqit” (Sermone Dominicales et Festivi III ff. 213-214).

 
Po, Jezusi, biri i Zotit, vdiq për ty, për mua, për secilin nga ne, e kështu na dëshmoi konkretisht sa të mëdhenj e të çmuar jemi para syve të Atit, të vetmit sy që, duke depërtuar përtej dukjes, shikojnë deri në thellësi të zemrave e të sendeve e na zbulojnë të vërtetën njerëzore e hyjnore.
Duke marrë pjesë në Udhën e Kryqit, t’i lutemi Zotit të na dhurojë sytë e tij, për ta parë me ta dashurinë e të vërtetën. E kështu, duke u bashkuar me Të, të bëhemi të lirë e të mirë.

Pas Shenjës së Kryqit e një heshtjeje të thellë, vijon Lutja e Papës:

“O Zot Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm,
ti di gjithçka,
ti e shikon nevojën e pamasë për Ty,
që fshihet në zemrën tonë.
Na e jep të gjithëve përvujtërinë
ta pranojmë se kemi nevojë për Ty,
shumë nevojë!
Çliroje mendjen tonë nga pretendimi
i gabuar e qesharak,
se mund ta sundojmë, pa Ty,
misterin, që na rrethon anembanë.
Çliroje vullnetin tonë nga fodulleku,
foshnjarak e i pathemeltë,
që na shtyn të besojmë
se mund ta ndërtojmë vetë,
pa Ty,
lumturinë tonë
e kuptimin e jetës sonë.
Bëje depërtues e të sinqertë
syrin e zemrës sonë,
për ta parë, pa hipokrizi,
të keqen që kemi në shpirt.
E, në dritën e Kryqit e të Ringjalljes
së Birit tënd të vetëm,
jepnae edhe sigurinë se,
të bashkuar me Të
edhe ne mund të fitojmë mbi të keqen,
duke i shpallur luftë me të mirën.
O Zot Jezus,
na ndihmo të ecim me këtë shpirt,
pas Kryqit tënd.
Amen.

Ndërsa ndjekim Krishtin në udhën e dhimbjeve, shpalosen para nesh faqet ungjillore të Mundimeve. Na kujtojnë se e kaluara lidhet ngushtë me të sotmen, se tallja e përbuzja, me të cilën ushtarët e trajtojnë Krishtin, vijojnë në mijëra faqe të historisë njerëzore e të kronikës së përditshme, përplot me dhunë e shpërdorime. Na kujtojnë mizorinë e njeriut, që është i zoti të bëjë krime të shëmtuara, të pabesueshme, kur mbrapshtia e zemrës e shndërron dritën e së mirës, që banon në shpirtin e tij, në terrin e dëshirave të parrëfyeshme, të shfrenuara, që fyejnë arsyen dhe dinjitetin njerëzor.
Njerëzimi vijon të pësojë, si Krishti në kryq.
Atë e shanë dhe e pështynë, sepse e quajtën të mundur. E kjo i ka ngjarë e i ngjet çdo të munduri, që nga Krishti e këndej.
Krishti mbeti vetëm, me kurorën e gjembave mbi krye, si mijëra njerëz që ecin në gjurmët e Tij, në hapësirë e kohë.
U mohua e u tradhtua nga një dishepull, duke e ditur se do të mohohej e do të tradhtohej. Prej këndej, shpirti iu torturua më shumë se korpi. Tufani fizik përgatiste atmosferën e tufanit të brendshëm, të mundimit shpirtëror, të torturës psikike të të mohuarit
Ai ecën drejt Kalvarit, i rrethuar me një atmosferë dhimbjeje, torture, pritjeje, nervoziteti, në të cilën ka pak, fare pak mëshirë.
Në këtë çast Krishti është Mjeshtër i dhimbjes.
Ecën e rrëzohet, i përtallur, por jo tallës; i mohuar, por jo mohues; i akuzuar, por jo akuzues.
I paditur e i dorëzuar nga Juda e i mohuar tri herë nga Pjetri. E pas çdo mohimi, i thellohet dhimbja e tortura, për ligështinë e brendshme të njeriut. Deri te kënga e këndezit, simbol i mirëfilltë i mohimit e i tradhtisë.
Këtu ndahen dy botët: bota e Kryqit - e bota e jetës pa ideale të larta, fisnike, e cila e përjashton dhimbjen, sepse e banuar nga skllevër e bij skllevërish, që nuk e meritojnë lirinë, meqë nuk e duan e nuk janë të zotët ta fitojnë, pasi të jenë mbërthyer në kryq.
Këtu ndahen dy botët: bota e të gozhduarve, nga ajo e gozhduesve!

Për kardinalin Ruini, t’i meditosh Mundimet e Krishtit, do të thotë të kuptosh edhe se Jezusit iu desh të duronte dhimbje të forta fizike, dhimbje të tmerrshme, të padurueshme, deri në frymën e fundit. E kjo nuk mund të mos e tmerrojë edhe njeriun, që i mediton, që e shikon veten në vend të Zotit, të gozhduar. Por nga kryqëzimi buron një ngushëllim i madh për njeriun që ka dhimbje, të cilat nuk mund t’i lehtësojë as me metodat e sotme të mjekësisë moderne.
Jezusi e pranoi dhimbjen fizike, duke u bërë solidar me gjithë familjen njerëzore, posaçërisht me njerëzit, që e dinë mirë ç’do të thotë dhimbje. Na fton kështu, ta pranojmë dhimbjen, edhe kur e bën jetën të padurueshme, e ta lehtësojmë, kur e kemi pranë njeriun, që përpëlitet prej saj.
Duke e parë sa rëndon Druri i mundimeve mbi supet e Jezusit, nuk mund të mos mendojmë se kryqi ka një mori formash, se edhe ne gozhdohemi mbi të në njëmijë mënyra, se e mbartim mbi supe gjithë jetën, se secili nga ne, do s’do, e nis çdo ditë duke marrë mbi supe kryqin e vet. Shumëkush këto kryqe i quan dënim, fatkeqësi, mjerim, ndërsa i krishteri, që dëshiron të ecë pas Krishtit, duke mohuar vetveten, duhet t’i shikojë si porta, që i hapen para e i japin forcë të ecë drejt një së mire më të madhe. E kur zemra pshon, shpirti vuan, vdekja troket në trup e në shpirt, vetëm një mendim mund ta shpëtojë njeriun e tronditur nga pafuqia e vet para vdekjes: “Krishti nuk e përballon vetëm muzgun e jetës! Krishti e mund vdekjen. Ndonëse duke e pirë deri në fund të fundit kelkun e vrerit, që e hidhëroi aq, sa të lartonte drejt Atit britmën: “Hyji im, Hyji im, pse më lëshove dore!” E pikërisht kjo britmë duhet të na ngjallë besim se Zoti nuk do të na lëshojë kurrë dore, se duhet t’i besojmë deri në fund të fundit, Atij që e ngjalli të Birin prej së vdekurve.
Është i pranishëm edhe Gjon Pali II gjatë kësaj Udhe Kryqi të medituar nga Kardinali Ruini, sepse pikërisht në këtë të Premte të Madhe bie sivjet pesëvjetori i vdekjes së Papës polak. Duke kujtuar se njeriu është i aftë të shkojë deri në kufijtë e së keqes, Kardinali citon fjalët e Vojtilës, që pohonte: “Mëshira hyjnore i vë kufi së keqes, mjeshtër e viktimë e së cilës është njeriu”.

E ndjekim Krishtin që nga çasti kur dënohet me vdekje (Stacioni I);
e shohim të ngarkuar me Kryq (Stacioni II);
të rrëzuar për të parën herë (Stacioni III);
duke u takuar me Nënën e vet (Stacioni IV);
të ndihmuar nga Cireneu (Stacioni V);
kur Veronika i fshin fëtyrën e përgjakur (Stacioni VI);
duke rënë për të dytën herë (Stacioni VII);
në takim të një çasti me gratë, që qajnë për Të (Stacioni VIII);
të rrëzuar për herë të tretë (Stacioni IX),
kur ia zhveshin rrobat (Stacioni X)
të gozhduar (Stacioni XI)
duke vdekur mbi Kryq (Stacioni XII)
e kur centurioni, i tmerruar e i mahnitur, këlthet: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Zotit”(Stacioni XIII).
Shpaloset, kështu, para nesh, pamja më e errët e më misterioze: vdekja e Birit të Hyjit i cili, së bashku me Atin, është burim jete. Por njëkohësisht edhe pamja më e ndritshme, sepse në të shkëlqen lavdia e Hyjit, lavdia e dashurisë së gjithëpushtetshme e të gjithëmëshirshme.
Përballë vdekjes së Jezusit, përgjigjja jonë është heshtja e adhurimi. Duke parë Marinë tek këmbët e Kryqit, heshtja na bën të kuptojmë se i krishteri i vërtetë, duhet të jetë një gjë e vetme me Jezusin, me mend, me vullnet, me zemër, në punë të vogla e të mëdha, në gaz e në helm, në mort e në lavdi. Se nuk duhet të vrapojë për ta takuar Zotin, vetëm atëherë kur ka nevojë për të, kur i troket në portë sëmundja, mjerimi, vdekja. Duhet ta lëshojmë plotësisht vetveten në duart e tij, në çdo çast, duke iu lutur të na ndihmojë që asgjë, në jetë as në vdekje, të mos na ndajë kurrë më prej Tij. (cfr Rom 8,38-39).
E, duke vijuar deri në fund Udhën e dhimbshme, shikojmë sesi Jezusin e zbresin nga Kryqi e ia dorëzojnë Nënës së tij e më pas, edhe gurin e madh që mbyll grykën e varrit. E na duket se gjithçka mbaroi. Se Zoti ynë vdiq, se s’do ta shohim kurrë më. Por a mund të rrijë aty, në atë gropë të errët, i burgosur nga vdekja, Autori i jetës? Prandaj varri i Jezusit, asokohe e në të gjitha kohët, është jo vetëm vend devocioni, por edhe vend që ndan mendje e zemra: këtu ndahen rrugët e atyre, që besojnë në Krishtin e rrugët e atyre, që nuk besojnë, ndonëse shpesh mendojnë se ai ishte njeri i mrekullueshëm.
Këtu Krishti vijon të kryqëzohet çdo ditë, për mëkatet tona. Çdo ditë në botë përhapet zhurma tragjike e gozhdave, që ngulen në mish të gjallë. Zemra e Krishtit shporohet çdo ditë e Zoti ecën çdo ditë në shtigjet e spërdredhura të botës, duke lënë pas gjurmë gjaku. Kurora e gjembave ia shtrëngon rishtas ballin hyjnor, e vijon të sulmohet nga tallja e ligë, nga mohimi, nga tradhtia. Ndërsa Pilati vijon t’i lajë pambarim duart, sepse paguhet për të kryqëzuar e për t’u shfajsuar në shtigje shekujsh. Në sa i Pamëkati vijon të ulet në ferrin e mëkateve tona, për të na ngjallur shpresën e Parrizit.
Çdo ditë Krishti përsërit pambarim kryqëzimin, për të zbutur çdo ditë ferrin e jetës mbi tokën, që vijon ta mohojë e ta tradhtojë, por edhe ta dojë me dashuri të madhe, deri në kryqëzime të reja. Prandaj, o njeri, mos ia moho një vend në zemrën tënde të Vetmohuarit, të rrahurit, të pështyrit, të kryqëzuarit për ty, që kthehet çdo ditë tek Ti.

E kjo Udhë e dhimbshme, mbyllet me fjalët plot besim e shpresë:
“Në se para Varrit të Jezusit udhët e besimtarëve nuk ndahen, kur është fjala për Ngjalljen, edhe sot e kësaj dite për të krishterët, lajmi i madh që Maria Magdalenë u sjell Apostujve, sipas rrëfimit të Ungjijve, është ai që e shndërron udhën e Kryqit, në burim jete!
Para varrit të Jezusit gjunjëzohemi në heshtje, duke iu lutur Hyjit të na ndihmojë ta ndjekim Krishtin edhe në Ngjallje, ashtu si e ndoqëm në Mundime.

E në sa lutemi, toka merr një hije të lehtë, të butë, e zemrat e ngashëruara nisin të rrahin ndryshe. Në errësirën e hijeve të natës, depërton rrezja e jetës. Krishti u ngjall, e ne, shtegtarë të udhëve pacak, e shikojmë përsëri cakun!







All the contents on this site are copyrighted ©.