2010-04-02 12:00:34

E Premtja e Madhe dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve


(02.4.2010 RV)E Premtja e Madhe e Pashkëve ditë lutjeje e heshtje në ditët e Mundimeve e të kryqëzimit të Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë dhe e shëlbon.
Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia na fton të meditojmë mbi misterin e mundimeve , të dhimbjes e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.
Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq që kundrohet të Premten e Madhe të Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. Në të parën Jezusi jep Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij e duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi. Kështu vdekjen, që për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të plotë të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet kyç, për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çast i shndërrimit të vdekjes së dhunshme, në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon botën.
Gjithnjë të Premten e Madhe të Pashkëve kemi edhe një rast të përshtatshëm për të medituar mbi misterin e madh të së keqes e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister, ndihmojnë shumë ritet liturgjike si rrëfimi i historisë së mundimeve të Krishtit, pastaj edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat synojnë të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, duke ndihmuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në flijimin e Jezusit. E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në të cilën zhyten të gjitha Kishat, me elterët e zhveshur nga stolitë, duke e ftuar besimtarin t’ia hapë shpirtin mëshirës hyjnore. Në këtë ditë ka rëndësi të madhe pjesëmarrja jonë në sakramentin e rrëfimit, rrugë e domosdoshme për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkëve me shpirt të përtrirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë e obligim për këtë përtëritje të shpirtit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.