Çka kremtojmë e përkujtojmë të Enjten e Madhe të Pashkëve?
(01.04.2010 RV)E Enjtja e Madhe është ditë posaçërisht e dashur për besimtarët
e për të krishterët. Përkujton Darkën e Mbrame të Zotit tonë Jezu Krisht me Apostujt
e vet, të cilëve u lan këmbët, gjest që e prekë aq fort popullin e përshpirtshëm.
Po, cila është domethënia e së Enjtes së Madhe?
E Enjtja e Madhe është
ditë e posaçme, tepër e dashur për Kishën, sepse kujton disa nga dhuratat më të mëdha
që Jezusi i bëri Kishës së tij, mbi të gjitha, Korpin e vet, Gjakun e vet, për të
mbetur kështu i gjallë, i pranishëm në botë deri në fund të fundit; pastaj meshtarinë,
e akoma, porosinë e mbrame, testamentin e dashurisë vëllazërore. Është ditë vërtetë
e ngarkuar me domethënie të thellë fetare e mistike. Ungjilli i
Gjonit është i vetmi që nuk e tregon Darkën e Mbrame, shugurimin e bukës e të verës:
por ndërkaq është edhe i vetmi që përshkruan larjen e këmbëve: pse?
Kuptimi
ndoshta është ky: nuk mund të themi se Gjoni s’e njeh Eukaristinë, sepse dihet që
në Kishat që themeloi Apostulli, Eukaristia kremtohej rregullisht, por ai foli për
bukën e jetës - së cilës i kushtohet një kapitull i tërë në Ungjillin e tij – e me
këtë episod deshi të vinte në dukje kuptimin e thellë të Eukaristisë, jo aq të ritit,
sa të domethënies, që është shërbim e shëlbim. Eukaristia, sipas Gjonit, është sakramenti
që na shuguron për t’i shërbyer njëri-tjetrit, siç shkruan në Letrën e tij të parë:
“Ai(Jezusi) dha jetën për né; edhe ne duhet të japin jetën për njëri tjetrin”. Pra,
nuk është vetëm larja e këmbëve. Gjoni ka edhe fjalët mahnitëse të lamtumirës së fundit
të Jezusit, që përbëjnë kulmin e Ungjillit. Dikur theksohej koncepti
i Meshës si flijim. Ndërsa sot vihet më tepër në dukje koncepti i darkës. Si ta jetojmë
Meshën?
Pikërisht këtë e përmend edhe Gjon Pali II në Ecclesia de Eucharistia
ku me tjerash nënvizon se Eukaristia duhet të konsiderohet një e vetme e të mos ndahen
aspektet e ndryshme të saj. Është e vërtetë se në rrjedhë të historisë janë theksuar
herë pas here disa aspekte. Në të kaluarën vihej më shumë në dukje prania reale e
Krishtit, flijimi; sot – Kungimi, shujta e jetës, gostia. Janë të gjitha realitete
të vërteta, aspekte të vërteta të Meshës. Është e rëndësishme të mos ndahen. T’i heqësh,
për shembull, përmasën e flijimit, do të thotë ta privosh Eukaristinë apo Meshën nga
një përmasë dramatike që, ndërmjet tjerash, shpjegon e hedh dritë të jashtëzakonshme
mbi jetën, edhe njerëzore. Duhet kujtuar edhe se Kungimi, shujta e jetës, flet për
gëzim, tregon se Eukaristia është sakramenti i shpresës, që na përgatit për gostinë
e amshuar.