2010-04-01 18:21:16

Problemi i abuzimeve me të mitur. Kisha: jo lajmeve të rreme, por vërtetësi dhe transparencë.


(01.04.2010 RV)Vazhdon jehona në mjetet e informacionit e çështjes së abuzimeve seksuale me të mitur nga ana e disa klerikëve katolikë. Por tashmë opinioni publik po njihet edhe me reagimet e Kishës Katolike në lidhje me akuzat e ngritura kundër saj dhe Papës Benedikti XVI, veçanërisht nga gazeta amerikane Nju Jork Tajms.

Kështu kryeipeshkvi i Vjenës, kard. Kristof Shënborn, kryesoi dje në katedralen e Shën Shtjefin në Vjenë një Meshë ku morën pjesë disa nga viktimat e abuzimeve të kryera nga anëtarë të klerit. Ishte ky një takim ku nuk munguan dëshmitë e viktimave, shpeshherë tepër të rënda e që ngjallnin zemërim e keqardhje. Prelati kërkoi falje në emër të Kishës për këto akte të ulta që kanë kryer disa meshtarë. Ndërkaq për çështjen në fjalë dhe për akuzat që janë bërë kundër Papës vazhdojnë reagimet e prelatëve më të lartë të Kishës Katolike.

Kardinale Uiliam Xhozef Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në një artikull shkruar për sitin online të “Ketholik Sen Fransisko”, gazetë e dioqezës ku ka qenë kryeipeshkëv, thotë: “Ne amerikanët nuk mund të konsiderohemi “shembuj të një kulture të lartë, por mund të jemi krenar për pasionin që kemi për drejtësi. E pra, shton prelati amerikan, më duhet të pranoj se nuk jam krenar për gazetën Nju Jork Tajms si shembull drejtësie.” Në fakt ky organ ka akuzuar Benediktin XVI me “fjalë të mëdha” duke harruar se pati qenë pikërisht kardinali i atëhershëm Racinger ai që kërkonte ta pastronte Kishën nga pisllëku që kishte brenda saj dhe në veçanti, që nga 2001, atëherë kur i patën besuar Kongregata për Doktrinën e Fesë dhe çështjet e abuzimeve.
Po ashtu mbi këto shpifje kudnër Papës u shpreh edhe kryeipeshkvi i Nju Jorkut, Timoti Dolan: “Kisha – pohoi ai – ka nevojë për kritikë, por ajo çka ne kërkojmë është saktësia dhe korrektësia. E vërteta dhe gënjeshtra ndërthuren në një mënyrë skandaloze në faqet e gazetës Nju Jork Tajms. Sigurisht që rrëfimi i abuzimeve, që janë të vërteta të ngjall neveri, por shpifjet kundër Jozef Racingerit që asokohe ishte kardinal janë të pathemelta dhe janë pjesë e një fushate “të kurdisur” mirë kundër Papës.” Për më tepër, nënvizon kard. Dolan, dokumentet që ka botuar gazeta Nju Jork Tajms tregojnë se asnjëherë nuk ka pasur asnjë pezullim të procesit kundër meshtarit Marfi, rasti i të cilit nuk përbën asnjë skup gazetaresk sepse ka qenë bërë i ditur me kohë e me vakt nga vetë kryedioqeza e Miluokit përpara disa vjetësh. “Po, pse vihet në dukje sot ky lajm?” bën pyetjen kard. Dolan.

Vlen të përmendet gjithashtu se edhe gazeta tjetër e rëndësishme që del në Nju Jork, “Deili Njuz”, një nga më të lexuarat në SHBA, megjithëse është kritike ndaj Kishës, i dënoi pa farë mëdyshjeje akuzat e rreme të Nju Jork Tajmsit kundër Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.