Papa gjatë Meshës së Bagmit: “Kush dashuron është i gatshëm të vuajë si Krishti, që
kur e fyenin nuk iu përgjigjej fyerjeve.”
(01.04.2010 RV)“Si meshtarë jemi të thirrur që në bashkim me Jezu Krishtin
të jemi njerëz paqeje, jemi të thirrur që t’i përgjigjemi dhunës dhe të kemi besim
te fuqia e dashurisë që është më e madhe” Kështu u shpreh Ati i Shenjtë Racinger gjatë
Meshës së Bagmit kremtuar në Vatikan, në këtë të Enjte të Madhe që hapi triditëshin
e Pashkëve. Më pas Papa Benedikti XVI shtoi: “Është pjesë e simbolit të Vojit të Shenjtë
edhe vetë fakti që ai na bën më të fortë për luftë. Kjo gjë nuk bie në kundërshtim
me temën e paqës, por është një pjesë e saj. Lufta e të krishterëve ishte jo përdorimi
i dhunës por edhe gatishmëria e tyre, dje dhe sot, për të vuajtur për të mirën, për
Zotin. Lufta e të krishterëve është se ata si qytetarë të mirë respektojnë ligjin
dhe bëjnë atë që është e drejtë dhe e mirë. Ata refuzojnë atë çka në ligjet në fuqi
nuk përbën drejtësi, por padrejtësi. Lufta e martirëve ishte ajo “jo” e hapur që
i thanë padrejtësive. Refuzimi i pjesëmarrjes në ritet e idhujtarisë, në adhurimin
e perandorit, nuk u gjunjëzuan përpara gënjeshtrave, përpara adhurimit të individëve
dhe të fuqisë së tyre. Duke i thënë “jo” gënjeshtrave dhe të gjitha pasojave që burojnë
prej tyre ata rritën pushtetin e së drejtës dhe të së vërtetës. Në këtë mënyrë i shërbyen
paqës së vërtetë. Edhe sot është tepër e rëndësishme që të krishterët të ndjekin
të drejtën, e cila është themeli i paqës. Edhe sot është e rëndësishme për të krishterët
që të mos ta pranojnë një padrejtësi që është ngritur në rang të drejte – për shembull
kur bëhet fjalë për vrasjen e foshnjeve të pafajshme që nuk kanë lindur ende. Pikërisht
në këtë mënyrë i shërbejmë paqës dhe pikërisht kështu vërejmë se po ecim në gjurmët
e Jezu Krishtit për të cilin Shën Pjetri thotë: “Kur e fyenin nuk përgjigjej me fyerje.
Kur e mundonin nuk kërcënonte se do të hakmerrej por ia lëshonte veten në dorë Atij
që gjykon me drejtësi. Ai i mori mëkatet tona në trupin e vet në kryq, në mënyrë që
duke mos jetuar më për mëkatin, ne të jetonim për drejtësinë” (1. Pt. 2, 23). Më tej
Papa Racinger vazhdoi: “Kush dashuron është i gatshëm të vuajë për të dashurin dhe
për dashurinë e vet, dhe pikërisht në këtë mënyrë provohet një gëzim më i thellë”.
Që
tek emri ynë i krishterë, vuri në dukje Papa “është i pranishëm misteri i Vajit” që
na çon tek emri i Krishtit, i cili është "I Shuguruari":
“Të jesh
i krishterë do të thotë: të vish nga Krishti, t’i përkasësh Krishtit, të Zgjedhurit
të Zotit, Atij të cilit Zoti i dhuroi pushtetin mbretëror dhe meshtarinë. Do të thotë
t’i përkasësh Atij që Zoti e shenjoi me bagëm – jo me një vaj të prekshëm si lëndë
materiale, por me Atë që përfaqësohet nga Vaji i Bagmit: me Shpirtin e Tij të Shenjtë.
Kështu, vaji i ullirit kthehet, në mënyrë krejt të veçantë, në një simbol të zbritjes
së Shpirtit Shenjtë tek Jezusi Njeri.”
Nga kjo vetëdije shpirtërore të
vetë të krishterit burojnë përgjegjësi konkrete. Simbolizmit të vajit, pohoi më pas
Benedikti XVI i përket edhe fakti se ai na bën më të fortë për luftë”, gjë që i bën
të krishterët ta respektojnë ligjin “si shtetas të mirë” por edhe të “bëjnë atë që
është e drejtë dhe e mirë”, ashtu sikurse edhe të refuzojnë të kryejnë atë që në ligjet
në fuqi nuk është një e drejtë, por një padrejtësi”:
“Edhe sot është e rëndësishme
që të krishterët të ndjekin të drejtën, që është edhe themeli i paqës. Edhe sot është
e rëndësishme që të krishterët të mos e pranojnë një padrejtësi që është ngritur në
rang të drejte ligjore – për shembull, kur bëhet fjalë për vrasjen e foshnjeve të
pafajshme, që nuk janë lindur ende. Pikërisht kështu ruajmë paqën dhe pikërisht kështu
vërejmë se po ecim nëpër gjurmët e Jezu Krishtit për të cilin Shën Pjetri thotë: “Kur
e fyenin nuk përgjigjej me fyerje. Kur e mundonin nuk kërcënonte se do të hakmerrej
por ia lëshonte veten në dorë Atij që gjykon me drejtësi.”
“Lufta e të
krishterëve – shpjegoi pak më përpara Papa – ka qenë dhe është mos përdorimi i dhunës.
Përkundrazi ata kanë qenë dhe janë ende tani të gatshëm për të vuajtur për të mirën,
për Zotin”. Për ta paqja është një vlerë që buron drejtëpërsëdrejti nga Zoti dhe është
fryt i sakrificës së Jezusit:
“Të krishterët duhet të jenë njerëz paqeje,
njerëz që e njohin, e pranojnë dhe e jetojnë misterin e Kryqit si mister të pajtimit.
Krishti nuk fiton me shpatë por nëpërmjet Kryqit. Fiton duke e mundur urrejtjen. Fiton
nëpërmjet forcës së dashurisë së tij më të madhe (...) Si meshtarë jemi të thirrur
të jemi në bashkim me Jezu Krishtin, njerëz paqeje, jemi të thirrur t’i kundërvihemi
dhunës dhe të besojmë në forcën e dashurisë që është më e madhe”.
Dhe për
meshtarët ka një domethënie akoma më të lartë që duhet mbajtur parasysh, nënvizoi
Benedikti XVI. Vaji – që në greqisht quhet “elaion” – me të cilin meshtarët e rinj
shugurohen, është i lidhur ngushtësisht me konceptin e Mëshirës Hyjnore, që në greqisht
quhet “eleos”. Një lidhje kjo që nënkupton një përgjegjësi tepër të qartë:
“Vajimi
për meshtarinë do të thotë gjithmonë edhe detyra për t’i çuar Mëshirën e Zotit Njerëzve.
Në llambën e jetës sonë nuk duhet të mungojë kurrë vaji i mëshirës. Le ta sigurojmë
gjithmonë në kohë pranë Zotit – në takimin me Fjalën e Tij, duke marrë Sakramentet,
duke u lutur së bashku me Të”.
Shenjë e hirit, pra, është simbol i forcës,
por jo vetëm kaq. Vaji – kujtoi më pas Papa Racinger, sipas përkufizimit të një psalmi
të vjetër, është edhe Prurësi i gëzimit. Është Shpirti i Shenjtë, që është “gëzimi
që buron nga Zoti”:
“Ky gëzim është një gjë shumë e ndryshme nga zbavitja
apo nga gëzimi i jashtëm për të cilin lufton shoqëria e sotme. Zbavitja, sipas vendit,
është padyshim gjë e mirë dhe e pëlqyeshme. Ëështë mirë të qeshësh. Por zbavitja nuk
është gjithçka. Ajo është vetëm një pjesë e vogël e jetës sonë dhe atje ku ajo don
të bëhet gjithçka, atje kthehet në një maskë pas së cilës fshihet dëshpërimi o së
paku dyshimi a është apo jo, jeta, një gjë me të vërtetë e mirë, e se mos do të ishte
më mirë të mos ekzistonin fare.”
Përkundrazi, përfundoi Benedikti XVI:
“Gëzimi
që buron nga Krishti është i ndryshëm. Ai na jep krahë, po, por ama mund të vijë me
ne edhe në vuajtje. Na jep aftësinë të vuajmë dhe në vuajtje të mbetemi të gëzuar
brenda nesh.” –përfundoi Papa.