2010-03-31 17:59:06

Treditëshi i Pashkëve


Më 1 prill, kremtohet e Enjtja e Madhe. Papa do të kryesojë Meshën e Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe sivëllezërve të tij në meshtari.
Pasdite, duke nisur nga ora 17. 30, Papa do ta kremtojë Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 meshtarëve. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë për ndërtimin e seminarit të Port-o-Prëns në Haiti. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.

Të Premten e Madhe, më 2 prill, në orën 17. 00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.00, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet Meditimet e Udhës së Kryqit janë përgatitur nga Kardinali Kamilo Ruini.

Të Shtunën e Madhe, me 3 prill, në orën 21. 00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e Sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, pasuar nga Mesha shenjte e kryesuar nga Benedikti XVI.
  Të Dielën, më 4 prill, Solemniteti i Pashkëve, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.







All the contents on this site are copyrighted ©.