(31.03.2010 RV)Juda tradhtoi për tridhjetë aspra argjendi. Nisën kështu Mundimet
e Zotit. Në leximin e parë të liturgjisë së sotme, Izaia i paralajmëron vuajtjet e
Krishtit: “Nuk e fsheha fytyrën, kur më tallën e më pështynë. Zotin Hyj e
kam pranë, s’do të mbetem i turpëruar, e faqen e bëj të fortë, porsi gur, e
di se s’do të zhgënjehem”! Janë fjalët e Krishtit përballë tradhtisë, që e çon
nga lumnia e Jeruzalemit, të Dielën e Larit, në çnderimin e akuzave, të rrahjeve,
të pështyrjeve, të mbërthimit mbi kryq. Gjithçka nis nga ligështia e një dishepulli,
nga tradhtia e një dishepulli, nga mohimi i një dishepulli. Nis nga Juda. Emri i tradhtarit
na lë një shije tejet të hidhur në gojë, sepse tradhtia e tij nuk mori fund atë ditë,
më e hidhura e ditëve të botës. Mund të përsëritet. Madje secili nga ne mund të bëhet
Judë. E këtë e dimë mirëfilli. Ajo që na trondit më shumë, kur kundrojmë fytyrën e
Judës, është falsiteti, është hipokrizia e njeriut, që jeton pranë Jezusit, duke e
fshehur fytyrën e tij të vërtetë, deri një ditë, kur detyrohet ta zbulojë tragjikisht. Është
e tmerrshme, e neveritshme, e turpshme: si mund të arrijë njeriu deri në këtë pikë?
Si mund të shtiret, të gënjejë, të gabojë, deri në këtë masë? E pra ka ndodhur e mund
të ndodhë përsëri. Nuk duhet harruar se kur njeriu është zemërkeq, kur dëshiron të
bëjë keq, verbohet deri në atë pikë, sa të mos shikojë asgjë tjetër, veç realizimit
të së keqes, që ia ka pushtuar mendje e zemër. Atëherë nis të besojë se i lejohet
të mohojë, të shpifë, të padisë, të shkatërrojë çdo njeri që i del përpara, duke
e penguar të arrijë atje ku dëshiron. Kështu njeriu rrokulliset nga e keqja në të
keqe, sepse çdo thërrime e dashakeqësisë, është portë e hapur, që të çon në prehër
të djallit. E djalli përfiton për ta bërë mjet të hipokrizisë së tij. Mos të harrojmë:
Jezusi e quan djallin “rrenacaku”! Historia njerëzore është thellësisht e sëmurë,
tejet e trazuar. Brenda kësaj historie të dhunshme e të çmendur, sepse të larguar
nga Zoti, ka një pikë, një pikë të vetme, nga e cila nis shërimi. Këtë pikë drite
e shpëtimi duhet ta kërkojmë tek Mundimet e tek Vdekja e Krishtit. Në gjakun e derdhur
nga njerëzit në rrjedhë shekujsh, gjak krimesh e tradhtish, Jezusi shton gjakun shpërblyes
të martirizimit, të martirizimit të Hyjit, që u bë njeri. Ky akt dashurie është i
pranishëm në çdo Eukaristi, në çdo elter e mund ta shndërrojë me të vërtertë jetën
e çdo njeriu, që ia hap zemrën vërshimit të dashurisë së Hyjit.