2010-03-31 15:19:23

Serbia kërkon falje për masakrën e Srebrenicës


(31.03.2010 RV)Pas 15 vjetësh, më në fund, parlamenti serb miratoi një rezolutë, me të cilën dënon një nga tmerret më të mëdha të luftës së Bosnjës, duke u bërë homazh 8 mijë viktimave të vrara barbarisht në Srebrenicë e duke kërkuar falje se nuk e ka penguar këtë masakër.
Dokumenti u miratua pas një debati tejet të ashpër, që zgjati 13 orë dhe u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni. Në tekst, fjala “genocid” nuk përmendet, duke pasqyruar kështu qartë ndarjet ekzistuese në botën politike serbe, përsa i përket shqyrtimit të së kaluarës. Deklarata mbi Srebrenicën u votua vetëm nga 127 deputetë, demokratë dhe socialistë pro-perëndimorë, të cilët e duan Serbinë në Bashkimin Evropian.
Kujtojmë se masakra e Srebrenicës ndodhi në korrik 1995, pak para fundit të konfliktit të përgjakshëm, që kishte përfshirë Bosnjën prej tre vjetësh. 8 mijë myslimanë u vranë barbarisht nga trupat e Republikës Srpska, me në krye gjeneralin Ratko Mladiç, i cili akoma kërkohet nga Gjykata e Hagës.
Evropa e përshëndeti miratimin e rezolutës, përmes deklaratës së Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Katrin Ashton, për të cilën ky është një hap i rëndësishëm përpara. Gjithsesi, analistët mendojnë se nëse ç’shkruhet në letër nuk shoqërohet me arrestimin e gjeneralit Mladiç, vlera e rezolutës do të jetë minimale. Gjithashtu, duhet kujtuar se të njëjtën kërkesë për falje e pret edhe Kosova. Serbia ka paraqitur kandidaturën për integrimin në Bashkimin Evropian më 22 dhjetor të vitit të kaluar dhe pritet të fitojë statusin e kandidatit në vitin 2011.







All the contents on this site are copyrighted ©.