2010-03-31 17:17:18

Masakër në Kongo: qeveria nuk ndërhyn


(31.03.2010 RV)Sipas misionit të OKB-së në Kongo, 290 vetë janë vrarë në masakrën e dhjetorit në Republikën Demokratike afrikane, kryer nga rebelët ugandezë të të ashtuquajturës Ushtri të Rezistencës së Zotit. Ndërsa organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”, e rrit bilancin në 321 viktima. Shifra të ngjashme konfirmohen edhe nga episkopati i ish-Zaires, i cili i pati denoncuar edhe kur u krye kjo masakër, pa arritur të zgjojë interesimin e autoriteteve, që nuk kanë hapur hetime për ngjarjen dhe nuk u kanë dhënë asnjë ndihmë familjeve të viktimave. Misioni i Kombeve të Bashkuara ka dërguar një skuadër në zonën e masakrave, distrikti i Haut Uele, për të zbuluar edhe fatin e 150 vetëve të sekuestruar nga rebelët. Si ka mundësi që për këtë masakër, kryer në dhjetor, flitet vetëm sot? Të dëgjojmë gazetarin italian, ekspert të Kongos, Mikele Lupi:
Mendoj se kjo është gjëja më alarmuese, pasi problemi është se ne mësojmë sot për tmerret e bëra në muajin e dhjetorit. Kushedi sa masakra të tjera bëhen në këtë zonë të Afrikës, për të cilat nuk dimë asgjë! Mendoj se hapi i parë për të sjellë paqen në Kongo është të arrihet në kontrollin e vërtetë të territorit, që do të thotë natyrisht kontroll qeveritar, por edhe nga ana e organizatave humanitare. Pra, duhet të kemi një prani fizike në vend, që të dëshmojë ç’ndodh.
Pse është kaq e paqëndrueshme kjo zonë?
Para së gjithash, për të kuptuar historinë e Republikës Demokratike të Kongos, sidomos të Lindjes, duhet ta shohim në një kuadër më të gjerë, që ka të bëjë me vendet fqinje, Ugandën, Ruandën, Sudanin, në veçanti me Sudanin Jugor. Këtu luan një rol themelor ekzistenca e lëndëve të para si ari, koltani, diamanti. Këto pasuri janë të rëndësishme sidomos për mbajtjen e grupeve rebele, pasi nga shitja dhe kontrabanda e mineraleve, ata blejnë armë dhe vazhdojnë aktivitetin. Por, në shumë raste, në origjinën e këtyre lëvizjeve rebele qëndrojnë interesa rajonale dhe ndërkombëtare, që luajnë me ish-Zairen, vend që në shekullin e kaluar ka qenë gjithnjë një gur i rëndësishëm afrikan në ekuilibrin botëror. RealAudioMP3

 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.