Shqipëri: kreu i KQZ-së procesi zgjedhor i mirëmonitoruar e procesi i numërimit transparent
(30.3.2010 RV)Në Shqipëri kryetari i KQZ, Arben Ristani prezantoi sot, në komisionin
parlamentar të ligjeve raportin vjetor mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë
vitit 2009 që lidhet me përgatitjen, administrimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve
parlamentare të 28 qershorit. Kreu i KQZ-së vlerësoi se procesi zgjedhor
ishte i mirëmonitoruar dhe se procesi i numërimit ka qënë transparent. "Për sa kohë
nuk ka asnjë gjurmë për parregullsi në procesin e numërimit, nuk ka pasur shkelje
në këtë proces, i cili ishte transparent", tha ai. Ristani pranoi se problem
ka qenë trajnimi i mangët i komisionerëve, si dhe marrja e vulës nga qendrat e komisioneve
zonale. "Subjektet politike shpesh nuk i kanë sjellë në kohë komisionerët dhe i kanë
ndryshuar deri ditën e votimit. Kjo ka peguar punën tonë", tha Ristani. Ditën e votimit,
sipas Ristanit "ka pasur vetëm një problem me tamponët e bojës së thatë, por kjo nuk
ka penguar procesin". Sipas tij "pati vonesa në procesin e numërimit të votimeve
për shkak të komisionerëve të patrajnuar mirë, por gjithsesi kjo nuk ndikoi në rezultatin
e zgjedhjeve të 28 Qershorit". Para anëtarëve të komisionit të ligjeve, z.
Ristani vuri në dukje se "vendimarrja në KQZ është marrë në shumicë të plotë dhe brenda
1 muaji ka dalë rezultati final". I pyetur mbi masat që do të marrë KQZ për
djegien e fletëve të votimit, Kreu i KQZ theksoi se "nuk ka afat të shprehur në ligj
për djegien e tyre dhe duke parë situatën aktulae politike KQZ nuk ka ndërmarrë ansjë
hap të tillë, pasi nuk ka dashur ti hedhë 'benzinë zjarrit'". Në raportin
vjetor të KQZ-së theksohet se "ndjenja e lartë përgjegjshmërisë për ruajtjen e të
gjitha standardeve dhe zbatimin me korrektësinë maksimale të Kodit Zgjedhor, e shoqëruar
nga klima e favorshme e konsensusit politik sikundër ishte në nisje të procesit, krijoi
besim për arritjen e qëllimit final: zgjedhje të lira, të ndershme, konform standardeve
të njohura ndërkombëtare". Sipas raporti, zhvillimet gjatë procesit, si dhe
vlerësimet përfundimtare të OSBE/ODHIR dëshmuan sërish se procesi i krijimit të besimit
të plotë të partive politike tek vota dhe procesi i votimit ende nuk ka përfunduar.
Në Shqipëri zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 u fituan nga koalicioni
i djathtë "Aleanca e Ndryshimit", vendim që u miratua me unanimitet nga KQZ-ja.
Sipas këtij vendimi koalicioni i djathtë "Aleanca e ndryshimit" fitoi 70 mandate,
koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" mori 66 mandate, ndërsa koalicioni "Aleanca
Socialiste për Integrim" 4 mandate. Në këto zgjedhje morën pjesë 34 subjekte
zgjedhore, të grupuara në katër koalicione, dy të djathta dhe dy të majta, përkatësisht
koalicioni "Aleanca e Ndryshimit", "Poli i Lirisë", "Aleanca Socialiste për Integrim"
dhe "Bashkimi për Ndryshim".(nga ATSH-ja).