2010-03-30 16:21:22

Parlamenti Evropian mbështet qeverinë e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave.


(30.3.2010 RV)Kryeministri Berisha takon raportuesin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, eurodeputetin Nikolaos Chountis.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, eurodeputeti Nikolaos Chountis, garantoi sot se "Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare për realizimin sa më shpejt të projektit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane".
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, raportuesi Chountis vlerësoi punën e jashtëzakonshme që është bërë gjatë kësaj periudhe për plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, por edhe për përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian.
Ai shprehu mbështetjen e plotë të PE-së për të dyja këto projekte dhe vlerësoi se anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE përbën një hap të ri në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe të rajonit.
Zoti Chountis vlerësoi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura në të gjitha aspektet e këtij procesi, të cilat ai i evidentoi edhe gjatë kësaj vizite në vendin tonë. "Ne dëshirojmë dhe besojmë fuqishëm që qytetarët shqiptarë të gëzojnë sa më parë të drejtën e qarkullimit pa viza në zonën Shengen, si çdo qytetar tjetër evropian", tha zoti Chountis.
Ndërsa, Kryeministri Berisha informoi mbi ecurinë e reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në veçanti në kuadër të projekteve madhore për anëtarësimin në BE dhe liberalizimin e vizave.
Kryeministri theksoi se ka përfunduar procesi i hartimit dhe miratimit të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, për të cilin u angazhuan rreth 1200 zyrtarë dhe punonjës të administratës, duke përgatitur përgjigje për 2284 pyetjet në kohë rekord dhe në javët në vijim do t'i dërgohet Komisionit Evropian.
"Qeveria shqiptare ka punuar me intensitet të lartë për realizimin e të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, për të garantuar që sa më shpejt qytetarët të lëvizin të lirë në hapësirat evropiane", tha Kryeministri Berisha. (nga ATSH.ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.