Me 30 mars kalendari Kishtar përkujton të Lumin Amedeun IX të Savojës
(30.3.2010 RV)Amedeu, bir i Anës dhe i Ludovikut, dukë i Savojës, lindi më
1 shkurt 1435 në kështjellën Tonon-lë-Bens, në brigjet e liqenit të Gjenevës në Savojën
e epër. Mori edukatën e fisnikëve të kohës. U martua me Jolandën Valua, bijë e Karlit
VII të Francës, më shumë për qëllime politike, në shërbim të fuqizimit të dukatit
atëror. Por, për fat të tij, nusja e ardhur nga Franca ishte thellësisht fetare e
Amedeu nisi të bashkëpunonte ngushtësisht me të, jo vetëm në jetën shpirtërore, por
edhe në drejtimin e shtetit.
Duka i ri vuante nga epilepsia e kjo i shkaktonte
vështirësi jo të pakta në jetën politike e familjare. Ndonëse nxiti organizimin e
një kryqëzate për çlirimin e Kostandinopojës, mbeti gjithë jetën njeri paqësor, tepër
i përshpirtshëm, jashtëzakonisht bujar me të varfërit, me të cilët ulej shpesh pranë
e pranë në sofrën dukale. Dyert e pallatit të tij qenë përherë të hapura për nevojtarët,
të cilët i priste e i donte si vëllezër, edhe atëherë kur pamja e tyre krijonte kontrast
me salltanetin e kështjellës dukale.
Pacifist në politikën e jashtme, i Lumi
qe drejtues shumë i aftë i shtetit të tij e shumë i dashur nga nënshtetasit, që e
simpatizonin posaçërisht për ndihmën konkrete ndaj të varfërve.
Tregojnë se
një herë, kur një nga ambasadorët e pyeti si i gjykonte mashtruesit, servilët e hipokritët,
që nuk mungonin as në pallatin e tij, ai u përgjigj: “Nuk i gjykoj rreptë, që të mos
gjykohem në të njëjtën mënyrë nga Zoti”.Me që sëmundja, të cilën ai e jetoi si hir
hyjnor, u bë gjithnjë më e rëndë, iu desh të heqë dorë nga froni në favor të Jolandës.
Por një dorëheqje e tillë shkaktoi zemërimin e të vëllezërve e të fisnikëve, që u
sulën me të gjitha mjetet kundër tij e së shoqes, aq sa u desh të ndërhynte mbreti
i Francës, Luigji XI, për t’i kthyer paqen dukatit. Vdiq më 30 mars 1472 në Verceli.
Procesi i shenjtërimit të tij vijon prej një kohe shumë të gjatë, që nga 3
marsi i vitit 1677, kur papa Inoçenci XI konfirmoi kultin e të Lumit Amedeo IX, duke
ia caktuar festën më 30 mars. Shën Françesku i Sales e Shën Robert Belarmimi e paraqiten
si shembull për sundimtarët dhe e nxitën procesin e shenjtërimin e tij. Por edhe sot
e kësaj dite, megjithë mrekullitë e shumta, Amedeu nuk është shpallur akoma shenjt.