2010-03-30 11:45:34

Gjatë prillit, Papa na fton të lutemi për të krishterët e persekutuar.


(30.3.2010 RV)RealAudioMP3 Për muajin e prillit, Papa na fton të lutemi për të krishterët e persekutuar. Nga Indonezia, dëshmia e rregulltarin saverian Atë Silvano Laurenci.
“Për të krishterët e persekutuar për shkak të Ungjillit, që të mbështetur nga Shpirti Shenjt, t’i qëndrojnë besnik dëshmisë së dashurisë së Zotit për mbarë njerëzimin”: ky është nijeti apo qëllimi i lutjes së Papës për muajin prill. Këtë nënvizon misionari atë Silvano Laurenci, rregulltar saverian që jeton e vepron në Indonezi.
“Është qartë që këto janë momente të forta për ne e për bashkësinë e besimtarëve, për t’i përforcuar hapat gjurmëve të Krishtit të vuajtur e të munduar në situata konkrete lokale, përmes vuajtjeve të njerëzve. Kjo do të thotë të ndjekësh Jezu Krishtin, që vazhdon të vuajë e ta bartë Kryqin ende sot. Këto çaste siç është e Diela e Larit, siç është Jave e Madhe e Pashkëve, u japin forcë të gjithë të krishterëve e po kështu edhe ne misionarëve për të vazhduar me angazhimin tonë edhe ndër vështirësi. Vështirësitë janë diçka normale për një misionar, janë pjesë e programit në veprimtarinë e tij, e sikur të mos kishte vështirësi, nuk do të ishin këtu. Pra në realitetin e sotëm duhet të jetojmë me angazhim, me lutje, me durim, me dashuri e dëshmi. Lajmin që njerëzit presin prej nesh, është ai i Pashkëve, i Krishtit të ngjallur, i Krishtit që është jetë e sjell Jetën e vërtetë”.
Kisha është rritur pikërisht ndër vuajtje e persekutimeve, nga gjaku i martirëve të saj kanë lindur shumë dëshmi të reja për Ungjillin e dashurin e Zotit.
“Po, është pikërisht kështu. Them një gjë të madhe se kjo është një epërsi, sepse pikërisht ndër vështirësi e në beteja përforcohet ndërgjegjësimi e dëshmia e besimtarëve ndaj Fjalës së Zotit dhe dashurisë së Tij për çdo person. Ne e dimë se Jezusi sjell jetën. Mirëpo na takon neve ta kuptojmë se në çfarë mënyre, kur e ku t’ia ofrojmë të afërmit tonë këtë dhuratë të çmueshme. Si t’ia transmetojmë gëzimin të tjerëve? Ne i këndojmë gëzimit dhe kumtojmë gëzimin, mirëpo shpesh herë në jetën e njerëzve gëzim nuk ka. Prandaj, duhet të zbulojmë gjithnjë e më shumë gurrën e gëzimit, Jezu Krishtin.
Cili është urimi juaj për këtë Javë të Madhe të Pashkëve për bashkësinë e tuaj të besimtarëve?
Të përforcohet feja, durimi, dashamirësia, sepse në Indonezi ka kaq shumë sekte që vazhdojnë t’i tundojnë katolikët duke i ftuar ta ndërrojnë Kishën, e atëherë duhet të kemi durim e urti. Angazhimi ynë është ai i të qenurit besnik ndaj Jezusit, e mos ta zhgënjejmë kurrë Krishtin. Jezusi është besnik deri në kryq e edhe ne duam e duhet të jemi besnik ndaj Tij deri kryq.







All the contents on this site are copyrighted ©.