Sali Berisha: Urdhëri i Françeskanëve ka ndihmuar në formimin kulturor e intelektual
të shqiptarëve.
(29.3.2010 RV)Kryeministri Berisha priti sot Ministrin e Përgjithshëm të Urdhrit
të Françeskanëve në botë, Jose Rodriguez Carballo Ditë më parë e pikërisht më 23
mars në Tiranë, Kryeministri i Shqipërisë dr. Sali Berisha gjatë një takimi me Ministrin
e Përgjithshëm të Urdhrit të Françeskanëve në Botë, At Jose Rodriguez Carballo, vlerësoi
kontributin e jashtëzakonshëm të Urdhrit të Françeskanëve që përmes misionit të tyre
kanë ndihmuar në formimin intelektual dhe kulturor të shqiptarëve gjatë.
Zyra e shtypit në Kryeministri të Shqipërisë bëri të ditur se duke falënderuar për
mikpritjen, ministri i Përgjithshëm i Françeskanëve, Ar Carballo u shpreh i lumtur
që ndodhej në Shqipëri me rastin e përvjetorit të themelimit të Urdhrit të Françeskanëve
në Shqipëri. Carballo falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që
qeveria shqiptare i ka dhënë Urdhrit të Françeskanëve në nismat dhe misionin e tyre
në Shqipëri. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij për kontributin
e jashtëzakonshëm të Urdhrit të Françeskanëve që përmes misionit të tyre kanë dhënë
një ndihmesë tejet të rëndësishme në formimin intelektual dhe kulturor të shqiptarëve
dhe në disa fusha të tjera të kulturës, duke u bërë një nga faktorët më aktivë të
Kishës Katolike në Shqipëri. Kryeministri Berisha dhe Ministri i Përgjithshëm
i Françeskanëve Carballo u shprehën se Kisha e Shën Ndout në Shqipëri është kthyer
në një nga pikat më të frekuentuara të shtegtimit shpirtëror në Shqipëri, por edhe
në Ballkan, ku shkojnë besimtarë e shtegtarë jo vetëm katolikë por edhe me përkatësi
fetare nga të gjitha fetë e ky realitet është një shembull tjetër i kontributit të
Urdhrit të Françeskanëve në harmoninë ndërfetare dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve
pa dallim feje apo çfarëdo përkatësie tjetër.