2010-03-29 18:51:22

Nesër, në librari, meditimet e kardinalit Ruini për ‘Udhën e Kryqit’, që do të kryesohet nga Papa në Koloseum, të Premten e Madhe.


(29.3.2010 RV)Do të dalin nesër në librari, meditimet për Udhën e Kryqit, që do të kryesohet nga Papa të Premten e Madhe, duke nisur nga ora 21.15 në Koloseum. Autor i teksteve, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, është kardinali Kamilo Ruini. Përveç kopjeve të shumta në librari, 15 mijë prej tyre do të shpërndahen në Koloseum, gjatë kremtimit të Udhës së mundimshme të Zotit tonë drejt Kalvarit. Ilustrimet, që pasurojnë librin, janë riprodhim i Udhës së Kryqit, realizuar në gjysmën e parë të viteve ‘800, nga piktori Jozef Fuhrih. Ndodhen në Kishën e Shën Gjon Nepomuçenit, në Vjenë.
Kardinali Ruini propozon temat e dhimbjes e të shpresës.
“O Zot, Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, çliroje vullnetin tonë nga fodulleku… foshnjarak e i pathemeltë, që na shtyn të besojmë se mund ta ndërtojmë vetë lumturinë tonë e kuptimin e jetës”: është një fragment i lutjes, që hap Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe në Koloseum.
E kjo Udhë e dhimbshme, mbyllet me fjalët plot besim e shpresë: “Në se para Varrit të Jezusit udhët e besimtarëve nuk ndahen, kur është fjala për Ngjalljen, edhe sot e kësaj dite për të krishterët, lajmi i madh që Maria Magdalenë u sjell Apostujve, sipas rrëfimit të Ungjijve, është ai që e shndërron udhën e Kryqit, në burim jete!".







All the contents on this site are copyrighted ©.