Benedikti XVI për Gjon Palin II, në pesëvjetorin e vdekjes: shok udhe me njeriun e
sotëm, për të përhapur në botë parfumin e dashurisë së Hyjit.
(29.03.2010 RV)Sot, në orën 18.00, në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI
kryesoi Meshën për shpirt të Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II, në pesëvjetorin
e kthimit tek Shtëpia e Atit hyjnor. Kremtimi u përshpejtua, sepse sivjet më 2 prill
bie e Premtja e Madhe. Gjithsesi jemi në Javën e Madhe, liturgjia e së cilës
na kujton ditët e fundme të jetës së Jezusit, e edhe të Papës Gjon Pali II, profet
i frymëzuar, të cilin Zoti e thirri në shërbim, duke i besuar detyra me përgjegjësi
gjithnjë më të madhe, por edhe duke e shoqëruar me hirin e tij e me ndihmën e vazhdueshme.
Kështu u shpreh Benedikti XVI, në sa komentonte Leximin e parë biblik, në të cilin
Isaia Profet paraqet figurën e ‘Shërbëtorit të Hyjit”, që është njëkohësisht i zgjedhuri
i Zotit: “Gjatë papnisë së tij shumëvjeçare, Gjon Pali II u përpoq ta
shpallë të drejtën me vendosmëri, pa ligështi e pa lëkundje, posaçërisht kur iu desh
të matej me kundërshtime, me armiqësi e me mohime. E dinte se Zoti vetë e merrte për
dore, e kjo e ndihmoi ta kryente me fryt të madh shërbimin e tij, për të cilin edhe
një herë falënderojmë Hyjin”. Papa u ndalua gjatë edhe në komentin
e Leximit të dytë, duke vënë ballë për ballë qëndrimin e përvujtë të Marisë e të vetë
Krishtit në Darkën e Mbrame, kur u lan këmbët dymbëdhjetë apostujve - e qëndrimin
e Judës, që s’është në gjendje ta nuhasë erën e mirë të dashurisë hyjnore; që bën
llogari, atje ku nuk mund të llogaritet e hyn, me shpirt të vogël, në hapësirën e
dashurisë së pafundme, të dhuratës, të përkushtimit të plotë. E këtë qëndrim e mban,
në sa…: “Biri i Zotit dhuron vetveten, që njeriu të ketë jetë; zbret
në humnerat e vdekjes, për ta ngritur njeriun në lartësinë e Hyjit, nuk ka frikë nga
poshtërimi, duke u bindur deri në vdekje, në vdekjen mbi kryq”. Kështu
u shpreh Papa e, në vijim, citoi Shën Agostinin, i cili shkruan: “Çdo shpirt, që dëshiron
të jetë besnik, bashkohet me Marinë e, si ajo, i lyen këmbët e Jezusit me parfum të
çmuar… Lyeji këmbët e Jezusit, ec në gjurmët e Zotit, duke jetuar një jetë të denjë.
Teri këmbët e Zotit me flokë e, në se ke shumë, jepjau të varfërve”. (Në Ioh.,50,6).
Pas komentit të teksteve biblike, Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek jeta e Gjon
Palit II, që ishte plot me këtë dashuri të krishterë, plot me aftësi për të dhuruar
bujarisht gjithçka, pa asnjë rezervë, pa asnjë masë, pa asnjë llogari. E vinte në
lëvizje dashuria për Krishtin, të cilit ia kishte kushtuar gjithë jetën, një dashuri
tejet e madhe, pa asnjë kusht: “E pikërisht sepse u afrua gjithnjë më
shumë me Zotin në dashuri, ai mundi të bëhej shok udhe për njeriun e sotëm, duke përhapur
në botë erën e mirë të dashurisë së Hyjit. Kush pati rastin ta njohë e ta takojë,
mundi të prekë me dorë sa i sigurtë ishte se po ‘kundronte mirësinë e Zotit, në tokën
e të gjallëve’, siguri që u duk në mënyrë të veçantë gjatë periudhës së fundit të
shtegtimit të tij mbi këtë tokë: ligështia fizike nuk ia lëkundi kurrë fenë shkëmbore,
shpresën e ndritshme, dashurinë e zjarrtë për Zotin. U shkri dalëngadalë për Krishtin,
për Kishën, për mbarë botën: e duroi vuajtjen, deri në vdekje, për dashuri e me dashuri”.
Kështu e portretizoi Benedikti XVI Gjon Palin II e, në vijim, kujtoi Homelinë e Papës
Vojtila në XXV vjetorin e papnisë, kur rrëfeu se në çastin e zgjedhjes, dëgjoi fuqimisht
në zemrën e tij pyetjen, që Jezusi i pati bërë Pjetrit: “A më do? A më do më shumë
se këta?" (Gjn. 21,15-16) e shtoi: “Vijonte çdo ditë në zemrën time ky dialog
ndërmjet Pjetrit e Jezusit, i cili, ndonëse i vetëdijshëm për ligështinë time, më
jepte zemër t’i përgjigjesha me të njëjtin besim, që pati Pjetri: “Zot, ti di gjithçka,
ti e di se të dua!” (Gjn 21,17). Janë fjalë të ngarkuara me fe e me dashuri,
me dashurinë e Zotit, që fiton gjithmonë. Pas këtij përshkrimi thellësisht
të ndjerë, Papa përshëndeti, në gjuhën polake, bashkatdhetarët e Gjon Palit II, mbledhur
me këtë rast në lutje, rreth varrit të Karol Vojtilës. Ndërmjet tyre, edhe kardinali
Dxhivish. Si bij e bija të tokës polake, Benedikti XVI i ftoi të jenë krenarë
për Polakun e madh. Por duhet të kujtoni – theksoi – se kjo është edhe thirrje
e madhe për të qenë dëshmitarë besnikë të fesë, të shpresës e të dashurisë, që Gjon
Pali II nuk pushon s’e mësuari. E, në përfundim të homelisë, Benedikti XVI
kujtoi ditën e sotme, me të cilën për të gjithë besimtarët katolikë filloi Java e
Madhe: “Ndërsa vijojmë kremtimin eukaristik, duke u përgatitur
të jetojmë ditët e lumnueshme të Mundimeve, të Vdekjes e të Ngjalljes së Zotit, t’ia
besojmë plot shpresë vetveten, sipas shembullit të Gjon Palit II, së Lumes Mari, Nënës
së Kishës, e t’i lutemi të na ndihmojë në impenjimin për të qenë, në çdo rrethanë,
apostuj të palodhur të Birit të saj hyjnor e të dashurisë së tij të mëshirshme”.