2010-03-28 14:59:39

Java e Madhe e Pashkëve: Shenjtorët e javës


(28.03.2010 RV)Sot, Kisha Katolike kremtoi të Dielën e Larit dhe të Mundimeve të Krishtit. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jeruzalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas procesionit, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës. Po sot, u kremtua edhe Dita e 25-të Botërore e Rinisë, në nivelin dioqezan.

Nesër, e hënë, 29 mars, dita e parë e Javës së Madhe, meditojmë mbi faktin se Zoti është drita dhe shpëtimi ynë. Dashurisë pa kufi të Marisë, që lyen këmbët e Jezusit me vaj të parfumuar e të shtrenjtë, i kundërvihet meskiniteti i Judës, njeri që llogarit vetëm përfitimin e vet. Në të Hënën e Madhe kremtohen edhe shën Gulielmi Tempier dhe shën Rudolfi.

Të Martën e Madhe të përpiqemi të shpallim shpëtimin, që vjen nga Zoti. Parashikimi që bën Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, na drejtohet edhe ne e të gjithë atyre që thonë me zjarr Besojmën e fesë, por e realizojnë atë vetëm me fjalë e jo me jetën e përditshme. Në këtë ditë festohen shën Sekondi, shën Leonard Murialdi dhe i Lumi Amedeo IX.

31 mars, të Mërkurën e Madhe, i kërkojmë Zotit të na vijë në ndihmë. Jeta e çdo njeriu lëviz ndërmjet dy poleve ekstreme. Duhet të vendosim nëse duam t’ia dorëzojmë Jezusin vdekjes, ose t’ia dorëzojmë vetveten, ashtu si Krishti, Zotit dhe vëllezërve. Këtë na mëson shën Beniamini, që kremtohet në këtë ditë.

Me të Enjten e Madhe, më 1 prill, fillon Triditëshja e Pashkëve. Viti Meshtarak është atmosfera ideale për të kremtuar meshën e Darkës së Mbrame. Të mbledhur përreth tryezës eukaristike, ashtu si Apostujt në Çenakull, të përpiqemi ta jetojmë këtë mister me fe, mirënjohje e vëllazërim të sinqertë. Përkujtojmë themelimin e Eukaristisë e të shërbimit meshtarak, dy dhurata të çmuara të Zotit.

2 prill, Të Premten e Madhe, gjunjëzohemi para Kryqit, i cili është shenja se Zoti e do njeriun aq sa të japë jetën për të. Përshkrimi që i bën Shën Gjoni Ungjilltar Mundimeve të Krishtit është dëshmia më e madhe e dinjitetit të jetës njerëzore. Jezusi na tregoi se askush nuk e humb dinjitetin para padrejtësisë, gënjeshtrës, poshtërimit, dhunës e urrejtjes. Sa e çmueshme është jeta para syve të Zotit, nëse për ta mbrojtur lejoi ta kryqëzonin, si të ishte ndonjë keqbërës!

Heshtja e Zotit, nata e lutjes në pritje të Ringjalljes së Krishtit, përbëjnë të Shtunën e Madhe, 3 prill. U deshën fjalët e dy burrave të veshur me të bardha për t’i dhënë të kuptojnë Marisë Magdalenë, Gjovanës e Marisë së Jakut se Krishti ishte ngjallur. Mahnitja e tre grave duhet të na e hapë edhe ne zemrën për të dëshmuar vërtetësinë e asaj ngjarjeje në botë.

Aleluja! Kjo është Dita e Krishtit Zot! Të dielën, më 4 prill, kremtojmë Pashkët e Ringjalljes. Në këtë ditë realizohen shpresat e njerëzimit. Ndërsa shkëmbejmë urimet, t’ì japim njëri-tjetrit, sëbashku me dorën, edhe këtë siguri: “Krishti u ngjall, me të vërtetë u ngjall!”







All the contents on this site are copyrighted ©.