2010-03-28 14:53:21

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Të rinjtë dhe shpresa”


(28.03.2010 RV)Sot, me të Dielën e Larit, në të gjitha dioqezat e botës, u kremtua edhe Dita e 25-të Botërore e Rinisë. Të enjten e kaluar, Papa Benedikti XVI u takua me të rinjtë e Romës e të Lacios në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ata dhe të rinjtë e tjerë, të ardhur nga të gjitha anët e Italisë, në mesin e të cilëve ishte edhe një grup i madh shqiptarësh, i treguan Atit të Shenjtë se edhe në kohë të vështira, shtrëngohen rreth Kishës dhe Bariut të saj. Pikërisht të rinjve dhe shpresës, që vjen prej tyre, ia ka kushtuar editorialin e sotëm, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“50 mijë të rinj në Sheshin e Shën Pjetrit festuan 25-vjetorin e Ditëve Botërore të Rinisë, sëbashku me Papën. Intuita e madhe e Gjon Palit II i ka dhënë mundësi aktivitetit të gjerë edukativ e baritor të Kishës me të rinjtë të gjejë – në këtë botë të globalizuar – çaste katalizatore, të afta të ushqejnë gëzimin e të rinjve për të festuar sëbashku fenë në Krishtin dhe për të forcuar impenjimin e shpresën e tyre.
Të rinjtë janë në zemrën e Kishës, janë të rëndësishëm për të, janë e ardhmja e saj, përtërijnë rininë e saj. Para gjithë të tjerëve, atyre u shpallet, me freski gjithnjë të re, se Krishti është kuptimi i jetës dhe i historisë. Edukatorë e shenjtorë të panumërt ia kanë kushtuar jetën shërbimit me të rinjtë, që kanë ruajtur për ta mirënjohje të jashtëzakonshme.
Kjo histori është aktuale dhe vazhdon. Cilat janë takimet e tjera të mëdha të të rinjve, që i flasin botës për shpresë, ashtu si Ditët Botërore të Rinisë e realitetet e shumta lokale nga të cilat ato vijnë e të cilat i shprehin? Episodet dramatike dhe skandaloze të abuzimeve – megjithëse të rralla e të kufizuara – duhen luftuar e parandaluar, pikërisht që kjo rrymë e mrekullueshme të vazhdojë të japë frytet e saj të kulluara për rininë e mbarë botës. Me Papën, rruga vazhdon duke shikuar me entuziazëm përpara”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.