2010-03-27 18:22:14

Atë Lombardi: lidhur me shpërdorimet seksuale mbi të miturit, Kisha impenjohet të rivendosë drejtësinë e të pastrojë kujtesën.


(27.03.2010 RV)“Për të rinjtë e për ata, që përpiqen t’i edukojnë e t’i mbrojnë”: është një nga ndjetet e lutjes, që do t’i drejtohen Zotit nesër paradite, gjatë Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën e Larit. Është lutje, që përmbledh ndjenjën e Kishës në këtë periudhë të vështirë, kur ballafaqohet me plagën e pedofilisë. Për çështjen e shpërdorimeve mbi të miturit nga ana e anëtarëve të klerit, të ndjekim një notë të drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi:

Çështja e shpërdorimeve seksuale mbi të miturit nga ana e anëtarëve të klerit katolik vijon të jetë gjërësisht e pranishme në mjetet e komunikimit të shumë vendeve, posaçërisht në Evropë e në Amerikën Veriore, edhe ditët e fundit, pas botimit të Letrës së Papës, drejtuar katolikëve irlandezë. Nuk është për t’u çuditur. Një argument i tillë e tërheq vetvetiu vëmendjen e mediave, e mënyra sesi e përballon Kisha ka rëndësi vendimtare për besueshmërinë e saj morale. Në të vërtetë rastet që tërhoqën vëmendjen e publikut, kanë ndodhur përgjithësisht prej kohe, edhe dhjetra vjet më parë, por t’i pranosh e t’i zhdëmtosh viktimat, është çmim që duhet paguar për rivendosjen e drejtësisë e të atij pastrimi të kujtesës, që krijon kushtet për ta shikuar me impenjim të ri, e njëkohësisht, edhe me përvujtëri e besim, ardhmërinë.Për këtë besim ndihmojnë shumë shenja pozitive, që vijnë prej konferencave të ndryshme ipeshkvnore, prej ipeshkvijve e institucioneve katolike të shumë vendeve, nga Kontinente të ndryshme: udhëzimet për drejtimin korrekt dhe për parandalimin e shpërdorimeve, ripohohen, azhurnohen e përsëriten në Gjermani, Austri, Australi, Kanada, e kështu me radhë. Një lajm posaçërisht i mirë vjen nga Raporti i shtatë vjetor mbi zbatimin e ‘Kartës për mbrojtjen e fëmijëve e të të rinjve”, i Kishës së SHBA. Ndonëse s’është vendi të shprehim kënaqësinë, nuk mund të mos e pranojmë se po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme për parandalim, përmes kurseve të panumërta të formimit dhe të përgatitjes, si për të rinjtë, ashtu edhe për të gjithë personelin baritor dhe edukativ; e duhet pranuar se numri i akuzave për shpërdorime, vitin e fundit është pakësuar 30%, ndërsa shumica e rasteve ka të bëjë me ngjarje, që kanë ndodhur më se tridhjetë vjet më parë. Pa hyrë në hollësira të tjera, duhet pranuar se masat e marra, që vijojnë të zbatohen, duket se po japin frytin e pritur. Kisha në SHBA po ecën në rrugën e drejtë të përtëritjes. Ky na duket një lajm i rëndësishëm, në kontekstin e sulmeve të reja mediatike, të cilat pa dyshim shkaktuan jo pak dëme. Por një vëzhgues jo i cektë, nuk mund të mos vërejë se autoriteti i Papës dhe impenjimi i dendur e i palëkundur i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, nuk dalin të dobësuar, por përkundrazi, të konfirmuar në mbështetjen dhe drejtimin e episkopateve, në luftën për ta shkulur nga rrënjët plagën e shpërdorimeve, kudo që të manifestohet. Letra e kohëve të fundit, që Papa i drejtoi Kishës në Irlandë, është dëshmi e thellë, që jep ndihmesë të shquar në përgatitjen e ardhmërisë, përmes ecjes në rrugën e shërimit, të përtëritjes, të ndreqjes së gabimeve. Me përvujtëri e besim, me frymën e pendesës e të shpresës, Kisha hyn në Javën e Madhe duke i kërkuar mëshirë e hir Zotit, i cili vuan e ringjallet për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.