Mesazh i Papës për Ditën misionare botërore 2010: të krishterët ta bëjnë "të dukshëm"
Jezusin në çdo kënd të tokës
(26.03.2010 RV)Të japim shenja shprese në një botë indiferente, të kuptojmë
se të jesh i pagëzuar do të thotë të jesh dëshmitar i Ungjillit, ta bëjmë mesazhin
e Jezusit tharm për vëllazërimin universal. Këto janë vetëm disa nga impenjimet, që
Benedikti XVI i përshkruan në Mesazhin e e tij për Ditën Misionare Botërore, e cila
do të kremtohet më 24 tetor. Gjithashtu, Papa u kërkon besimtarëve që të mbështesin
Kishat e reja, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike të çastit. Kultura e fe
të ndryshme, që kanë nevojë për ekspertë të artit të dialogut. Një planet gjithnjë
e më i populluar, por plot me njerëz të vetmuar; i pasur me mesazhe, por i sëmurë
nga indiferenca. E ndërmjet këtyre dritëhijeve, i krishteri duhet të spikasë për shpresën
e vet, e cila vjen ngaqë një ditë prej ditësh ka takuar “Dashurinë e Zotit që ia ndryshon
jetën”. E nuk mund të mos kthehet në dëshmitar të Ungjillit, thekson Benedikti XVI.
Por të krishterët nuk do të jenë tharmi i humanizmit të ri, nëse feja e tyre nuk
ushqehet nga lutja, nga meditimi i Fjalës së Zotit dhe nga studimi i të vërtetave
të fesë. Dëshmi do të thotë t’u mundësosh të tjerëve ta shohin Jezusin. Ja
impenjimi i çdo të pagëzuari, me fjalët e Papës: “Në një shoqëri shumëetnike, që
gjithnjë e më tepër provon forma shqetësuese vetmie dhe indiference, të krishterët
duhet të mësojnë si të japin shenja shprese e të bëhen vëllezër universalë, duke kultivuar
idealet e mëdha, që e shndërrojnë historinë dhe, pa iluzione të rreme e pa frikë,
të impenjohen që planeti të bëhet shtëpia e të gjithë popujve”. Kjo, thekson Ati
i Shenjtë në mesazh, ka të bëjë me bashkëpunimin ndërmjet Kishave. Papa falenderon
meshtarët “Fidei Donum” dhe misionarët rregulltarë e laikë, që punojnë për bashkimin
e Kishave dhe integrimin e kulturave. Në fund, Benedikti XVI u kërkon besimtarëve
të mbështesin Kishat e reja, duke lavdëruar punën e Veprave Papnore Misionare, të
cilat i përdorin më pas fondet e grumbulluara në formimin e meshtarëve, të seminaristëve
e të katekistëve në tokat e misionit.