2010-03-26 19:17:53

Dashuria e 70 mijë të rinjve për Benediktin XVI. Papa: Kur dhuron vetveten, gjen jetën e vërtetë.


(26.03.2010 RV)Zoti ka një plan për secilin nga ne. Jeta nuk duhet jetuar vetëm për vetveten, por edhe për të tjerët. Duhet të jetë dhuratë. Këtë porosi, thënë me dy fjalë, u dha mbrëmë Papa 70 mijë të rinjve, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga Roma e Lacio, por edhe nga vise të tjera të Italisë, për të kremtuar së bashku Ditën Botërore të Rinisë. Sivjet kjo ditë, që do të kremtohet në nivel dioqezan të Dielën e Larit, përkon me 25 vjetorin e DBR-së, organizuar për herë të parë nga Gjon Pali II, në Romë, më 1985. Ishte një festë e madhe, me këngë, dëshmi, brohoritje, që arritën një nga kulmet, kur në Shesh hynë Kryqi i DBR-së dhe Ikona e Shën Marisë, shpëtimi i popujve romakë, që u pritën me valëvitjen festive të qirinjve. Të dukej sikur në mes të të rinjve kishin zbritur vetë yjet e natës së butë pranverore.
Pas notave të Himnit të DBR-së 2000, titulluar “Emanuel”, rikumbuan edhe fjalët e Gjon Palit II, drejtuar të rinjve me rastin e DBR-së së parë, në Romë: “Roma nuk do ta harrojë kurrë këtë poterë gazmore”. E mbrëmë, 25 vjet pas fillimit të madh, të rinjtë u grumbulluan përsëri plot dashuri e mirënjohje rreth Papës Benedikti XVI. Përfaqësonin famullitë, lëvizjet, grupet kishtare. Mes tyre, edhe një delegacion të rinjsh nga Madridi, drejt të cilit, më 2011, do të rinisë shtegtimi i madh i të rinjve nga mbarë bota.
I pritur me gëzim e duartrokitje të stuhishme rinore, Benedikti XVI përshkoi gjithë Sheshin me papa-mobil, duke ia kthyer, me gëzim, përshëndetjen të rinjve. Kjo afërsi u ndje fort edhe në fjalët e Kardinalit-mëkëmbës, Agostino Valini: “Të rinjtë e duan Papën – tha ai – dhe e falënderojnë për dëshminë e ndritshme të dashurisë e të fesë në Jezusin e Kryqëzuar, të vdekur e të ngjallur, edhe kur i duhet të përballojë prova e keqkuptime.
Tri ishin pyetjet, që i drejtuan të rinjtë Papës: për kuptimin e jetës, për kërkimin e miqësisë me Jezusin; për zgjedhjen me guxim të rrugëve të vështira, por të vërteta. Por, në fund të fundit, pyetja kryesore, ishte ajo, që përbën temën e DBR-së: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”, shkëputur nga Ungjilli, i cili u lexua gjatë takimit. Asnjë nga ne nuk mund ta përfytyrojë jetën e pasosur, sepse i kapërcen kufijtë e përvojës sonë – shpjegoi Papa – por themelore është të mos e flakim jetën, që na u dhurua. Edhe i riu i pasur i Ungjillit e pyet Jezusin ç’duhet të bëjë, për të qenë i përsosur. Që të jesh i përsosur, para së gjithash duhet të njohësh Zotin, theksoi Benedikti XVI. Prandaj mund të themi se gjëja më kryesore në jetë, është ta duash Zotin e të afërmin:
Dhjetë Urdhërimet, të cilat Jezusi i cek në përgjigjen, që i jep të riut, janë vetëm një shtjellim i urdhërit për të dashur: janë – me një fjalë – rregullat e dashurisë, tregojnë rrugën e dashurisë, me këto pika themelore: pranimi i familjes, si bazë e shoqërisë; respektimi i jetës, si dhuratë e Zotit; rregullimi i seksualitetit, i marrëdhënies së burrit me gruan; i rendit shoqëror e, së fundi, kërkimi e gjetja e së Vërtetës. Janë këto elemente themelore, që tregojnë cila është rruga e dashurisë: si duhet të duam me të vërtetë e si gjendet rruga e drejtë”.
Vullneti themelor i Hyjit është i barabartë për ne të gjithë – vijoi Papa – por Zoti ka edhe një plan të mirëpërcaktuar për çdo njeri, në tërësinë e historisë. Këtë plan duhet ta gjejë secili, në rrethanat e jetës së vet. E vetëm në dhurimin e vetvetes gjendet jeta e vërtetë, që mund të jetohet në përkim me mundësitë e ndryshme: në veprimtari vullnetare, në bashkësi kushtuar lutjes, në lëvizjet kishtare. Kështu jeta nuk bëhet më e lehtë, por sigurisht, më e bukur dhe më e lumtur.
Po si duhet vepruar sot, për të fituar dashurinë e Jezusit? Kjo përvojë mund të fitohet - përgjigjet Benedikti XVI. - Para së gjithash, Jezusi duhet njohur me Ungjijtë, pastaj duhet njohur me zemër, duhet folur me të në lutje. Duhet zemër e arsye. Fjala e Jezusit duhet dëgjuar në bashkim me Kishën, duke u impenjuar për të afërmin e duke qenë gjithnjë pranë sakramenteve. Kështu secili nga ne mund të provojë dashurinë e Jezusit e kështu mund ta shohim edhe ne Krishtin.
Por nganjëherë - ishte pyetja e tretë drejtuar Papës – duhen bërë ca flijime, duhet hequr dorë nga disa gjëra tejet të pëlqyeshme, e kjo të duket vërtetë e vështirë. Si e ku gjendet forca për të marrë vendime të guximshme?
Flijimet - u përgjigj Benedikti XVI – bëhen në se e kanë një arsye, ashtu si sportistët, që përgatiten për olimpiadë, duke e ditur se ia vlen barra qiranë të flijosh, për të arritur një qëllim të madh. Në çdo lloj sporti e krijimtarie artistike, arti për të qenë njeri kërkon shumë flijime, të cilat na ndihmojnë të mos biem në greminën e drogës, të alkoolit, të skllavërisë së parasë, të seksualitetit, të përtacisë. Kjo greminë në vështrimin e parë duket si liri, por pastaj njeriu shikon se ka rënë nën thundrën e një skllavërie, nga e cila nuk mund të çlirohet lehtë:
“Ta kapërcesh, me këto flijime, tundimin e çastit, të ecësh përpara drejt së mirës, do të thotë të krijosh lirinë e t’ i japësh vlerë të re vetë jetës. Në këtë kuptim duhet të bindemi se pa i thënë ‘jo’ disa gjërave, nuk mund të arrijmë te ‘po’-ja e madhe, që të çon drejt jetës së vërtetë”.
E për ta bërë pohimin e madh të jetës, mund të na ndihmojnë shumë figurat e Shenjtorëve: Shën Françesku, Shën Tereza, njerëz që u bënë jo vetëm të lirë, por edhe pasuri e vërtetë për botën. Na ndihmon, sidomos, Fjala e Zotit – kujtoi Benedikti XVI – bashkësia kishtare, lëvizja, shërbimi vullnetar; na ndihmojnë njerëzit, që kanë ecur përpara e që mund të na bindin se kjo rrugë është e drejtë.
Para fjalimit të Papës, u kujtuan simbolikisht, njëra pas tjetrës, 25 DBR-të, duke i shoqëruar kujtimet me muzikë e me këngët e korit e të orkestrës dioqezane të Imzot Marko Frizinës. Ishte viti 1985, kur Gjon Pali II i mblodhi të rinjtë në Ditën e tyre të parë botërore, pikërisht në Romë, në këtë Shesh, ku mbrëmë ishin të pranishëm shumë prej tyre, 25 vjet më të mëdhenj në moshë.
Që këtu nisën të marrin udhët e largëta: Buenos Ajres, Santiago i Kompostelës, Çestokovë, Denver, e kështu me radhë, deri në Sidnei të Australisë, më 2008 e në Madrid – më 2011.
Për gëzimin e këtyre ditëve folën shumë dëshmitarë: një çift: ajo spanjolle, ai italian – që u njohën pikërisht në Romë, më 1985. E dje ata ishin përsëri në Romë, të rrethuar nga pesë fëmijët e tyre.
Solli dëshminë e vet edhe aktorja Beatriçe Faci, e cila pas një periudhe largimi nga feja, duke parë të rinjtë e DBR-së 2000 në Romë, u prek aq, sa të ndjejë një thirrje të papritur në shpirt. Kjo thirrje do ta rikthente në Kishë, në rrugën e fesë e të dashurisë së vërtetë, do ta bënte të gjente lumturinë si bashkëshorte e si nënë e tre fëmijëve.
E fortë edhe përvoja e David Martinit, sot diakon e e shumë e shumë të tjerëve, që në përfundim të këtij takimi vërtet të jashtëzakonshëm me Krishtin, nuk i thanë njëri tjetrit lamtumirë, por “Mirupafshim në Madrid për DBR-në 2011-të”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.