2010-03-26 19:18:07

Atë Kantalamesa në meditimin e fundit të Krezhmëve: vuajtjet e këtij çasti, do t’i sjellin një pastërti më të madhe Kishës.


(26.03.2010 RV)“Krishti vuan më shumë se ne për përuljen e meshtarëve të tij e për plagët që i hapen Kishës. Në se e lejon, këtë e bën sepse e njeh të mirën, që mund të burojë prej saj, për një pastërti më të madhe në Kishë”. Me këto fjalë, predikatari i Shtëpisë papnore, Atë Raniero Kantalamesa, përfundoi sot paradite në Vatikan, në praninë e Papës e të Kuries Romake, meditimin e tij të tretë e të fundit krezhmor, përqendruar tek tundimet, që mund ta çojnë në krizë meshtarinë.
Brenda Kishës, siç po e tregojnë dhembshëm ngjarjet e fundit, ndjehet nevoja për pastrim, duke nisur nga kleri. Me sinqeritetin e zakonshëm, të shoqëruar me tone të apasionuara në mbrojtje të thirrjes meshtarake, Atë Kantalamesa përfundoi ciklin e meditimeve krezhmore të këtij viti, duke u ndaluar tek tundimi që mund ta turbullojë meshtarin, gjatë shërbimit të tij. Prediktari u frymëzua kryesisht nga Shtatë Letrat drejtuar bashkësisë së krishterë, përmbledhur në Librin e Zbulesës. Në Letrën drejtuar Kishës së Smirnës – theksoi – spikat, ndërmjet tjerash, thirrja që u drejtohet meshtarëve, për të mos e thyer kurrë besën dhënë Zotit. E fjala ‘besnikëri’ ka dy kuptime: atë të forcës shpirtërore, të qëndresës, por edhe të ndershmërisë e të drejtësisë, të cilat duhet të jenë vetitë dalluese të çdo meshtari. Kështu u shpreh Predikatari, e vijoi:
“Kësaj besnikërie i kundërvihet thyerja e besës dhënë Kishës e Krishtit, jeta e dyfishtë, moskryerja e detyrave të meshtarisë, posaçërisht kur është fjala për celibatin e për pastërtinë e jetës. E dimë, përmes një përvoje të dhimbshme, sa dëm mund t’i bëhet Kishës e shpirtrave nga ky tip pabesie. Është prova, ndoshta më e vështirë, që po kalon Kisha në këtë çast”.
Në Letrën drejtuar Kishës së Smirnës, ashtu si në Shtatë Letrat e tjera – shpjegoi Atë Kantalamesa – ndjehet fort thirrja për t’u penduar. Në këtë Letër, Krishti tregohet tejet i ashpër ndaj atyre, që mbajnë një qëndrim të ftohtë ndaj fesë. E, komentoi predikatari françeskan, është pikërisht kjo ftohtësi e një pjese të klerit, mungesa e zellit e amullia apostolike, ajo që e ligështon Kishën edhe më shumë se shkandujt rastësorë të meshtarëve:
Por, nuk duhet përgjithësuar, në asnjë mënyrë! Kisha e sotme është e pasur me meshtarë të shenjtë, që e kryejnë në heshtje të plotë detyrën e tyre. Në vija të përgjithshme, kush e njeh sadopak historinë e Kishës, e di se niveli i klerit të sotëm është shumë më i mirë, sesa në epoka të tjera. Një shekullar i impenjuar, më thoshte një ditë me trishtim: “Popullsia e vendit tonë këto 20 vjetët e fundit është shtuar me 3 milionë banorë, kurse ne katolikët kemi mbetur aq sa ishim. Diçka nuk shkon në Kishën tonë”. Duke e njohur nga afër këtë kler, e dinte se diçka vërtet nuk shkonte: ai shikonte se shumë prej meshtarëve nuk shqetësoheshin për shpirtrat, por për paratë, për rehatinë”.
Për ta mbështetur këtë mendim, pa fjalë të kota, e për të nënvizuar si duhet të jetë meshtari i vërtetë, Atë Kantalamesa solli shembullin e Shën Terezës së Avilës e cila, në shkrimet e saj, rrëfen se për një farë kohe u përpoq t’i shikonte punët e Zotit e punët e njerëzve si një gjë e vetme, duke e ndjerë veten krejt të palumtur. Shkruan Mistikja e madhe:
“Rrëzohesha e ngrihesha. Por kur ngrihesha, e ndjeja veten aq keq, sa rrëzohesha përsëri (…) Mund të them se jeta ime ishte nga më të mundimshmet, që mund të përfytyrohen. Nuk kënaqesha as me Zotin e as me botën. Kur dëfrehesha në botë, mendimi se nuk po kryeja detyrat ndaj Zotit, më bënte të mjerë. E kur isha me Zotin, më trazonin tundimet e botës. Mendoj se shumë meshtarë mund të zbulojnë, në këtë analizë, shkakun kryesor të pakënaqësisë së tyre”.
E, në vijim të meditimit për shkaqet e tjera të mundshme të krizës së thirrjeve për rrugën meshtarake – duke nisur nga tundimi i parasë, tek indiferenca ndaj shpirtrave, për shak të kërkimit të rehatisë– atë Kantalamesa pranoi se nganjëherë shekullarët janë shumë më të zellshëm, se vetë meshtarët. Duhet të jemi – bëri thirrje Predikatari – model për grigjën e jo ‘pronarë të fesë’; të varfër, si famullitari i Arsit, të aftë për t’u shqetësuar nga kërkesat e apostullimit, pa rënë në tundimin e madh për t’i siguruar Krishtit ‘liri, nën mbikqyrjen e policisë’, duke e shikuar lutjen si të nevojshme, por kur nuk i bie ndesh pushimit tonë; bindjen ndaj Zotit si të domosdoshme, por kur nuk të pengon t’i realizosh të gjitha mundësitë; pastërtinë si kusht, por pa flijuar mundësinë për të pasur sadopak një ide për atë që ndodh në botë. E, duke e lexuar përmbys frazën e Krishtit: “unë jam tek porta e trokas” – shtoi:
“Ndër ne, meshtarët, Krishti nuk troket për të hyrë, por për të dalë. Në pagëzim morëm Shpirtin e Krishtit, por mund të ndodhë që ky Shpirt të përfundojë si i burgosur e i murosur në një zemër prej guri, që e rrethon, duke mos e lejuar, kështu, të depërtojë në ndjenjat e njeriut. Kur lexojmë frazën e Krishtit: “Jam tek porta e trokas”, duhet të kuptojmë se ai nuk troket nga jashtë për të hyrë, por troket nga brenda, për të dalë”.
Meditimin, që e hapi me citimin e Jeremisë, i cili i zhgënjyer nga meshtaria e tij, vendos, në fillim, t’ia kthejë shpinën Zotit, Atë Kantalamesa edhe e mbylli me fjalët që vetë Profeti zbulon brenda vetes, kur kupton se Zoti nuk do ta braktisë, vetëm në se do të pendohet. Me këtë bindje, për të cilën kanë aq nevojë Papa e Kisha në këtë fazë delikate e plot dhembje, e përfundoi meditimin françeskani:
“Ajo që duhet në këtë çast, është një fërgëllim shprese. Krishti vuan më shumë se ne nga përulja e meshtarëve të tij e nga mundimet e Kishës së tij. Në se e lejon këtë, e bën sepse e njeh të mirën, që mund të burojë prej saj, për një pastërti më të madhe në Kishë. Ftesa e Krishtit: “Ejani tek unë, ju të gjithë; ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë, e unë do t’ju çlodh!”, e dimë se i drejtohej në radhë të parë dishepujve, Apostujve për rreth, e prej këndej, sot, na drejtohet ne, meshtarëve. Krishti na thotë: “Ejani tek unë, tek unë, jo tek vetvetja, tek pasuritë tuaja. Ejani tek unë, e do të gjeni prehje!”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.