SHBA-Izrael: pas atij me Obamën, dështon edhe takimi i Netanijahut me Miçëllin
(25.03.2010 RV)Pas takimit zhgënjyes me presidentin amerikan Obama, kryeministri
izraelit Netanijahu foli edhe me të dërguarin e Administratës së SHBA-ve për Lindjen
e Mesme, Xhorxh Miçëll, në përpjekjen për të zhbllokuar procesin e paqes. Dështoi
plotësisht, për shkak të këmbënguljes për të vazhduar ndërtimet e shtëpive të kolonëve
hebrenj në Jeruzalemin Lindor. Marrëdhëniet amerikano-izraelite, të cilat kanë qenë
të ndërlikuara edhe më parë, rrezikojnë të keqësohen. Tel Avivi izolohet edhe nga
bashkësia ndërkombëtare, megjithëse për ultranacionalistët brenda vendit, figura e
Netanijahut forcohet, pasi nuk iu nënshtrua presioneve. Të dëgjojmë eksperten e Lindjes
së Mesme, Marçela Emiliani, pedagoge në Universitetin e Bolonjës, në Itali: Besoj se ky
izolim është pa precedent, pasi të gjithë përfaqësuesit e Kuartetit për Lindjen e
Mesme ngulin këmbë për bllokimin e ndërtimeve hebraike në Territoret palestineze,
ashtu siç nuk bëhej prej dhjetëvjeçarësh. Nëse qeveria izraelite nuk lëviz nga qëndrimi
vet, kjo do të thotë se e ka llogaritur politikisht se bashkësia ndërkombëtare nuk
do të arrijë kurrë të zbatojë sanksione kundër Izraelit.