2010-03-25 15:45:57

Pas paraqitjes së Lineamentave, rriten shpresat ndaj Sinodit për Lindjen e Mesme


(26.01.2010 RV)U paraqitën në Vatikan, Lineamentat, apo dokumenti që përcakton temat kryesore, të cilat do të diskutohen në Sinodin e ardhshëm për Lindjen e Mesme, nga 10 deri më 24 tetor. Asambleja ka si titull: “Kisha Katolike në Lindjen e Mesme: bashkim e dëshmi. Shumica e atyre që u bënë besimtarë kishte një zemër të vetme e një shpirt të vetëm”. Pikërisht për objektivat e këtij sinodi, folëm me sekretarin e përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve, imzot Nikola Eteroviç:RealAudioMP3
Dëshiron t’u shfaqë afërsinë bashkësive të dashura katolike të Lindjes së Mesme dhe të mbështesë shtegtimin e tyre në këtë situatë mjaft delikate, që të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për misionin e tyre të krishterë e për rëndësinë e tyre në jetën e Kishave në rajon.
Bashkim e dëshmi janë pra, dy fjalët kyç të këtij dokumenti…
Të krishterët, që falë Zotit jetojnë në këtë tokë, e cila është toka e Jezusit, duan të vazhdojnë të jetojnë këtu me një frymë pozitive, dialogu. Në situatat e reja që po krijohen, të krishterët duhet të luajnë një rol themelor. Si në nivelin e Kishës universale, por edhe në vendet e veçanta ku jetojnë, janë të thirrur të jenë dëshmitarë gjithnjë e më autentikë e më të pjekur të Jezu Krishtit, që të japin kontributin e tyre në ndërtimin e një bote më të mirë, të një shoqërie gjithnjë e më të kujdesshme ndaj dhuratave, karizmave dhe përvojave të ndryshme fetare për të mirën e përbashkët.
Dëshmia kërkon që të krishterët të qëndrojnë në Tokën Shenjte, pavarësisht nga vështirësitë. Por nuk është e lehtë…
Çdo i krishterë, me ndihmën e Kishës universale, duhet të zbulojë misionin e vet e të mbetet në vendet e origjinës. Natyrisht, shpresojmë që situata të zhvillohet në sensin pozitiv, demokratik, që të kemi paqe me drejtësi e që edhe ata që aktualisht bëjnë pjesë në diasporë, të kthehen në këto toka kaq të dashura për gjithë botën e krishterë.
A do të marrin pjesë në Sinod eksponentë të feve të tjera?
Po studiojmë kriteret për të ftuar edhe përfaqësues të botës hebraike dhe myslimane në Sinod. Besoj se, me miratimin dhe inkurajimin e Atit të Shenjtë, do ta gjejmë mënyrën e përshtatshme për të ftuar edhe Kishat e tjera të krishtera.
Një përfaqësues hebre ka marrë pjesë në një sinod, po myslimanët?
Ka pasur myslimanë në Sinodin për Libanin e mendoj se ka qenë një përvojë pozitive. Selia e Shenjtë, Kisha katolike nxisin dialogun, sidomos dialogun me përfaqësues të feve të mëdha monoteiste, për t’u njohur më mirë. E një nga sugjerimet e patrikëve dhe ipeshkvijve tanë në Këshillin pre-sinodal ka qenë favorizimi i njohjes së ndërsjelltë edhe përmes mas mediave, dokumentave, duke e paraqitur me objektivitet si krishterimin, si islamizmin, ashtu edhe hebraizmin. Njerëzit duhet të kenë një ide autentike për çdo fe, duhet ta njohin më mirë, duhet ta çmojnë e të shohin jo vetëm ndryshimet, por edhe elementet e përbashkëta, në mënyrë që ta respektojnë njëri-tjetrin e të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, sidomos për promovimin shoqëror, duke u nisur nga dëshira e përbashkët për paqe me drejtësi.
Imzot Eteroviç, cili është mesazhi juaj për të krishterët e Lindjes së Mesme?
Mendoj se duhet falenderuar Provania Hyjnore për praninë e vazhdueshme të të krishterëve, që nga koha e Jezusit e deri më sot. Nganjëherë ne e harrojmë mrekullinë e mirësisë së Zotit, që ka dashur të jenë aty, pavarësisht nga periudhat e vështira të historisë. Të krishterët kanë pasur urtinë e nevojshme për të jetuar në regjime të ndryshme gjatë shekujve, për të kapërcyer të gjitha vështirësitë e kjo na jep edhe shpresën se mund të kapërcejnë edhe vështirësitë aktuale. Nga ana tjetër, ekziston edhe një fenomen i kohëve të fundit, pozitiv për ne të krishterët, i emigrimit të shumë punëtorëve, që vijnë në vendet më të zhvilluara ku prania e krishterë ishte minimale ose gati nuk ekzistonte. Nga kjo pikpamje, i jemi mirënjohës Zotit, që i jep Kishës e botës së krishterë mundësinë ta dëshmojnë fenë aty ku më parë nuk ishte e pranishme. Pra, është Shpirti i Shenjtë ai që shkruan, sipas mënyrës së vet, një faqe të re në historinë e Kishës, në historinë e krishterimit e të njerëzimit. Ne duhet të jemi të kujdesshëm para shenjave të kohës e të jemi mjete të dobishme për këtë vepër të madhe të Zotit, që filloi në Tokën Shenjte, që vazhdon në Tokën Shenjte e që pasqyrohet në krejt Kishën, e mund të themi edhe në të gjithë botën.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.