2010-03-25 15:48:18

Papa Benedikti XVI takohet me të rinjtë e Romës dhe të Lacios


(25.03.2010 RV)Në orën 20.30 fillon në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, takimi i Papës Benedikti XVI me të rinjtë e Romës e të Lacios, në kuadrin e kremtimit të Ditës Botërore të Rinisë, e cila sivjet festohet në nivelin dioqezan. Ndërkaq dje, në Roka di Papa të Italisë, pranë Qendrës së përshpirtërisë ndërkombëtare “Për një botë më të mirë”, nisën punimet e Forumit X ndërkombëtar të të rinjve, organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët. Tema e Takimit është “Të mësojmë se si të duam”. Papa u dërgoi pjesëmarrësve një mesazh, duke pohuar se njeriu është bërë për të dashuruar e se jeta e tij mund të realizohet plotësisht vetëm në se jetohet në dashuri. Benedikti XVI i nxit të rinjtë të zbulojnë madhështinë dhe bukurinë e Martesës: marrëdhënia e burrit me gruan –nënvizon – e pasqyron dashurinë hyjnore në mënyrë krejt të veçantë; prandaj lidhja martesore fiton një dinjitet të pamasë. Në rrethanat kulturore, në të cilat shumë njerëz e konsiderojnë martesën si kontratë të përkohshme, e cila mund të prishet, ka rëndësi jetike të kuptosh se dashuria e vërtetë është besnike, është dhurim përfundimtar i vetvetes. Me që Krishti e shuguron dashurinë e bashkëshortëve të krishterë e i ndihmon ta ruajnë, - përfundon Papa – kjo besnikëri jo vetëm që është e mundshme, por edhe udhë, që të çon drejt një dashurie më të madhe. Një dashuri e tillë forcohet dita-ditës dhe e bën njeriun të lum, edhe ndërmjet vështirësive, që nuk mungojnë kurrë në jetën e përditshme, me ose pa familje.







All the contents on this site are copyrighted ©.