2010-03-25 14:46:15

Festa e Lajmërimit të Zotit, kremtim i jetës


(25.03.2010 RV)Sot, Kisha Katolike kremton festën e Lajmërimit të Zotit. Kujtojmë se sipas një tradite shumë të lashtë, shtëpia e Marisë, ku Engjëlli Gabriel i solli Virgjërës lajmin e Mishërimit të Zotit, identifikohet me shpellën e cila sot ndodhet në kriptën e Bazilikës së Lajmërimit në Nazaret. Një pjesë e kësaj shtëpie, gjithnjë sipas traditës – u mbart mrekullisht nga disa engjëj nga Nazareti në Loreto, në zonën italiane të Markeve. Shtëpia e Shenjtë – siç quhet - ndodhet edhe sot në Bazilikën e Loretos, deklaruar nga Gjon Pali II ‘Shenjtërore ndërkombëtare”, cak shtegtimesh për mijëra besimtarë nga të katër anët e botës.
E 25 marsi, ditë tradicionale e Lajmërimit të Zotit kremtohet nga Kisha edhe si ditë e jetës. Është dita kur Kisha kujton lajmërimin dhe pranimin e planit të Zotit nga Virgjëra Mari. Në shtëpinë e vogël të Nazaretit, nën strehën e Marisë, në çastin kur Ajo iu përgjigj "po" ëngjëllit, filloi ngjarja më e madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Në jetën njerëzore nisi të banojë vetë Zoti. Zoti u bë njeri. Ç'ngjarje më e madhe mund t'i ndodhte njeriut? Dëshirojmë prandaj, duke u nisur nga kjo ditë, të rifillojmë këngën e jetës, nga fillimi e deri në mbarim. T'i themi "Po" jetës, sepse jeta është e bukur, sepse jeta është dhuratë e Zotit, sepse jeta është një aventurë e mahnitshme, sepse jeta duhet jetuar duke kënduar "Magnificat" - "Zemra ime madhëron Zotin".

Poeti ynë kombëtar, Atë Gjergj Fishta, i këndon kështu, në poezinë "Nuncjata", ndikimit që pati kjo ngjarje e madhe mbi gjithë njerëzimin:

T’falna, Mrí ! edhe na po t’ thona,
O Zojë Virgjin hire-plote!
E nder gzime e kobe t’ona,
Qi na i sjellin t’egrat mote,
E kur n’nadje t’zbardhe drita,
E kur n’mbrame t’erret dita:
T’falna, Mri, na t’ thom’ me gzim!








All the contents on this site are copyrighted ©.