2010-03-24 17:27:25

Papa në audiencën e përgjithshme: gjithçka është racionale, pajtohet me fenë.


(24.03.2010 RV)“Ndërmjet shkencës e fesë ka lidhje miqësore” – tha Papa sot në audiencën e përgjithshme, gjatë së cilës preku një temë posaçërisht të dashur për të. Duke paraqitur figurën madhore të Shën Albertit, njeri me kulturë të jashtëzakonshme, me interesa të panumërta, që iu kushtua jo vetëm teologjisë, por edhe shkencave natyrore si dhe gjithë dijes së kohës së tij, Papa pohoi se, ashtu si ‘Doctor universalis’ – “Dijetari universal”, të gjithë njerëzit e shkencës, përmes prirjes për studimin e natyrës, mund të ecin në rrugën e vërtetë e joshëse të shenjtërisë.
Shkenca e feja nuk i kundërvihen njëra tjetrës, pavarësisht nga disa episode, për të cilat na flet historia. Këtë na e dëshmon Shën Alberti i Madh, domenikani, që jetoi në shekullin XIII. Njeri me kulturë të gjerë e me doktrinë të thellë, i bëri kushtet rregulltare vetëm pasi krijoi lidhje të fuqishme me Zotin e me Urdhërin e predikatarëve. Për të dëshmuar se teologjia dhe shkencat natyrore kanë dialoguar gjithnjë, Benedikti XVI vuri theksin tek mënyra, me të cilën Dijetari i Kishës, shpallur nga Piu XI, arriti të jetë njeri i lutjes e njëkohësisht, vëzhgues i vëmendshëm i fenomeneve të natyrës:
“Ai ka ende shumë për të na mësuar. Një njeri i fesë e i lutjes, siç qe Shën Alberti i Madh, mund të kultivojë qetësisht studimin e shkencave natyrore e të përparojë në njohjen e mikro e të makrokozmosit, duke zbuluar ligjet e materies, sepse e gjithë kjo bashkëpunon për të shuar etjen dhe dashurinë për Zotin. Bibla na flet për krijimin, si ligjërim i parë, përmes të cilit Zoti, dija e pambaruar, Logos – na zbulon diçka nga vetvetja”.
Falë Shën Albertit – tha Papa – të vërtetat e fesë së krishterë u takuan me racionalitetin e Aristotelit, me kthjelltësinë e me qartësinë e tij në analizën e strukturës së realitetit, të vlerës e të qëllimit të veprimeve njerëzore:
“E këto janë edhe meritat e mëdha të Shën Albertit. I studioi veprat e Aristotelit me përpikmëri shkencore, i bindur se gjithçka që është vërtetë racionale, është e pajtueshme edhe me fenë e zbuluar në Shkrimet e Shenjta”.
Shën Alberti – shtoi Benedikti XVI - kontribuoi praktikisht në formimin e filozofisë e të teologjisë, parë si dy dije të veçanta, që përkojnë në unitetin e së vërtetës e që, duke dialoguar, bashkëpunojnë plot harmoni në zbulimin e thirrjes së mirëfilltë të njeriut, që ka etje për të vërtetën.
E ashtu si rregulltari domenikan, shumë të tjerë, në kërkimet e tyre shkencore, panë lidhjen e ngushtë të shkencës me fenë:
Sa shkencëtarë, duke ecur në gjurmët e Shën Albertit të Madh, i çuan përpara kërkimet e tyre shkencore, të frymëzuar nga mahnitja e mirënjohja, në sa merreshin me botën e cila, e parë me sytë e tyre prej studiuesish e besimtarësh, dukej e duket si vepër e mirë e një Krijuesi të dijshëm e të dhembshur”.
Ndërmjet të mëdhenjve, që ecën në gjurmët e Shën Albertit, Papa kujtoi astrofizikanin Enriko Medi, për të cilin është hapur çështja e lumnimit. Por, duke folur për Domenikanin e madh, Ati i Shenjtë nuk mund të mos kujtonte edhe veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar, këshillat e urta që u dha papëve, aftësinë për të shprehur koncepte të larta, me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, sidomos gjatë predikimeve, që ishin aq tërheqëse, sa i bënin menjëherë për vete të gjithë ata, që kishin fatin t’i dëgjonin.
Më pas Papa u ndal edhe tek puna e tij baritore si ipeshkëv, në krye të dioqezës së Regensburgut, ku gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor, u rikthye paqja e pajtimi. Paqe e pajtim solli edhe në Kishë, duke u impenjuar për bashkimin e Kishës latine me atë greke, pas ndarjes, shkaktuar nga shkëputja e madhe e Lindjes, në vitin 1054.
E nuk harroi të vinte theksin edhe mbi miqësinë ndërmjet Shën Albertit e Shën Tomës, duke kujtuar se Alberti qe mësues i Teologut të madh nga Akuini e mbrojtës i mendimit të tij, kur ky u sulmua e u dënua padrejtësisht.
Duke u njohur me jetën e Shën Albertit, nuk mund të mos reflektojmë edhe për dialogun e tij me Zotin që, posaçërisht në vitet e rinisë, e ndihmoi shumë të kuptonte cila ishte rruga, që duhej të ndiqte:
“Shpesh, në vitet e rinisë, Zoti na flet e na tregon planin e jetës sonë. Ashtu si për Albertin, edhe për ne të gjithë, lutja personale, e ushqyer me fjalën e Zotit, ndjekja e Sakramenteve e udhëheqja shpirtërore nga njerëz të ndriçuar, janë mjetet për të zbuluar e për të ndjekur zërin e Zotit”.
Në përfundim të audiencës, duke përshëndetur shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u foli për solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, që do ta kremtojmë nesër. Ndërsa shtegtarëve polakë u kujtoi se Polonia ia kushton këtë ditë shenjtërisë së jetës, dhuratë që duhet mbrojtur nga zënia, deri në vdekjen e natyrshme.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.