2010-03-24 17:27:35

Papa i dorëzon një delegacioni kilian, shtatoren e Zojës së Karmelit, Pajtore e vendit.


(24.03.2010 RV)Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa bekoi shtatoren e Zojës së Karmelit, Pajtore e Kilit, të cilën pastaj ia dorëzoi një delegacioni ipeshkvijsh, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga vendi latino-amerikan.
Ishte dhuratë e Benediktit XVI, për Kishën e Kombin kilian, me rastin e dyqindvjetorit të pavarësisë.
Shtatorja, vepër e artistit ekuadorian Rikardo Vilalba, do të shtegtojë në të gjitha dioqezat, posaçërisht në ato, që u dëmtuan më rëndë nga tërmeti. E Zoja do të mbartë me vete edhe Ungjillin e Kilit. Është fjala për tekstin e Besëlidhjes së Re, shkruar krejtësisht me dorë në shkolla, sheshe, kisha, spitale, burgje, në të katër anët e vendit, deri në skajet më të largëta, si ishulli i Pashkëve e Antartida, (rreshti) verseti i parë i të cilit është shkruar, edhe ky me dorë, nga vetë Benedikti XVI.
Delegacioni kilian kryesohej nga kardinali Francisko Havier Errazuriz, kryeipeshkëv i Santiagos dhe nga imzot Alehandro Goiç, ipeshkëv i Rankagua e kryetar i Konferencës ipeshkvnore kiliane. Për domethënien e kësaj ngjarjeje, të dëgjojmë Atë Kristian Preht, koordinator kombëtar i Misionit kontinental në Kili, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Ka një domethënie të madhe, sepse Zoja Karmë është Pajtore e Kilit; e ne kemi menduar të organizojmë një shtegtim të Zojës misionare, e cila do të përshkojë gjithë Kilin, por sidomos, qytetet që vuajtën e vuajnë pasojat e tragjedisë së tërmetit. Papa na dërgon, së bashku me Zojën, për të ngushëlluar popullin, që dëshiron të rilindë, pas shkatërrimit të tërmetit, e për ta përforcuar në fe.

Pyetje: - Shtatorja e Zojës do të shoqërohet dhe nga “Ungjilli i Kilit”, apo jo?
 
Përgjigje - Ishte një nismë e bukur, kjo, për ta shkruar Ungjillin me duart e më se tetë mijë kopjuesve, ndërmjet të cilëve, edhe protestantë e evangjelikë. Edhe bashkësia izraelite deshi të kopjonte Psalmet. Ne e quajmë ‘Ungjilli i Kilit’ këtë libër, që pasurohet edhe me vizatime të piktorëve të famshëm, por edhe të njerëzve të thjeshtë, e edhe të fëmijëve. Është një vepër vërtet e bukur, që mishëron kulturën e Kilit, kulturë thellësisht kristiane. E edhe më prekës, fakti se Zoja vetë, së bashku me Foshnjën Hyjnore, mbart edhe Ungjillin, për të na përsëritur këshillën: “Bëni atë, që ju thotë Krishti!”.

Pyetje: - Kjo ngjarje organizohet në kuadrin e Misionit kontinental…

Përgjigje: - Është pjesë përbërëse e Misionit kontinental. Sivjet patëm si moto “Kili, tryezë për të gjithë”. Duhet të mendojmë edhe për ata, që nuk ndjehen mirë në tryezën, ku duhet të ulen të gjithë, posaçërisht për të varfërit, për të rinjtë e droguar e për shumë e shumë njerëz të tjerë, që vuajnë. Tani, pas shkatërrimeve të tërmetit – një kataklizmë e vërtetë – ka edhe më shumë të varfër, që duhet të zënë kryet e vendit në këtë tryezë!RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.