Kremtohet Dita e Misionarëve Martirë. 30 vjet më parë vritej brutalisht imzot Romero,
kryeipeshkëv i San Salvadorit
(24.03.2010 RV)Dita e imzot Oskar Arnulfo Romero i Galdamez: kështu do të kujtohet
që sot 24 marsi në Salvador. Vendimi u mor nga parlamenti i vendit latinoamerikan.
30 vjet më parë, në këtë ditë, vritej brutalisht, ndërsa kremtonte meshën, kryeipeshkvi
i San Salvadorit. Pati denoncuar me forcë padrejtësitë dhe pabarazinë shoqërore në
vend. Kisha Katolike ia ka kushtuar këtë ditë misionarëve martirë e sot meditoi mbi
temën: “Jeta ime ju përket juve”. Në vitin 2009, sipas të dhënave të agjensisë kishtare
Fides, 37 vetë janë vrarë në mision. Prej tyre, 30 janë meshtarë, 2 murgesha, 2 seminaristë
dhe 3 vullnetarë laikë. Numri, më i larti i dhjetë vjetëve të fundit, është dyfishuar
në krahasim me vitin 2008. Që prej 18 vjetësh, Lëvizja Rinore e Veprave Papnore Misionare
e kremton këtë datë me lutje dhe agjërim. Flet në mikrofonin tonë, drejtori i Lëvizjes,
don Xhani Çezena: Dita filloi të kremtohej në vitin 1994 nga Lëvizja Rinore
Misionare, e cila deshi kështu ta bënte të vetën trashëgiminë e idealeve të imzot
Romeros dhe njëkohësisht, të sensibilizonte opinionin për të gjithë ata që martirizohen
në mision. Për të rinjtë, kjo është me domethënie të madhe, një dëshmi e jashtëzakonshme
dhe një leksion që bota rinore katolike i jep Kishës për të kujtuar se feja, në shumë
vende, paguhet me çmimin e jetës. Nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë
misionarët që dhanë jetën në Shqipëri, duke vuajtur sëbashku me popullin dhunën komuniste,
por edhe kontributin e shumë prej tyre në përparimin e kombit shqiptar.