2010-03-24 18:54:44

Benedikti XVI Forumit ndërkombëtar të të rinjve: dashuria e vërtetë, besnike e përfundimtare, ndërmjet një burri e një gruaje, është pasqyrim i dashurisë hyjnore.


(24.03.2010 RV)Filluan, sot, në Roka di Papa, pranë Qendrës së përshpirtërisë ndërkombëtare “Për një botë më të mirë”, punimet e Forumit X ndërkombëtar të të rinjve, organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët. Papa u dërgoi pjesëmarrësve një mesazh, duke pohuar se njeriu është bërë për të dashuruar e se jeta e tij mund të realizohet plotësisht vetëm në se jetohet në dashuri. Benedikti XVI i nxit të rinjtë të zbulojnë madhështinë dhe bukurinë e Martesës: marrëdhënia e burrit me gruan –nënvizon – e pasqyron dashurinë hyjnore në mënyrë krejt të veçantë; prandaj lidhja martesore fiton një dinjitet të pamasë. Në rrethanat kulturore, në të cilat shumë njerëz e konsiderojnë martesën si kontratë të përkohshme, e cila mund të prishet, ka rëndësi jetike të kuptosh se dashuria e vërtetë është besnike, është dhurim përfundimtar i vetvetes. Me që Krishti e shuguron dashurinë e bashkëshortëve të krishterë e i ndihmon ta ruajnë, - përfundon Papa – kjo besnikëri jo vetëm që është e mundshme, por edhe udhë, që të çon drejt një dashurie më të madhe. Një dashuri e tillë forcohet dita-ditës dhe e bën njeriun të lum, edhe ndërmjet vështirësive, që nuk mungojnë kurrë në jetën e përditshme, me ose pa familje.







All the contents on this site are copyrighted ©.