2010-03-23 15:42:11

Në Torino çelet së shpejti një ekspozitë kushtuar figurës së Jezu Krishtit në kinemanë botërore.


(23.03.2010 RV)RealAudioMP3 Me rastin e paraqitjes për nderim të Sindonës së Krishtit, siç quhet ndryshe Çarçafi me të cilin u mbështoll Jezu Krishti në Varr, i ruajtur në Katedralen e Torinos, Muzeumi Kombëtar i Kinemasë në Torino do të çelë më 26 mars, ekspozitën me titull “Ecce Homo. Figura e Jezu Krishtit në historinë e kinemasë.” Nëpërmjet një përzgjedhjeje të kujdesshme fotografish, afishesh, revistash, librash, partiturash e disqeve gramafoni që janë marrë nga disa koleksione të pasura publike, kjo ekspozitë origjinale është ftesë për të reflektuar më thellë mbi figurën e Jezu Krishtit në historinë e kinemasë.

Figura e Jezu Krishtit ka qenë pjesë e pandarë e kinemasë që në fillimet e saj dhe gjatë këtyre njëqind vjetëve nuk e ka braktisur asnjë çast, kuptohet duke ia përshtatur kulturës, progresit teknologjik dhe mënyrave të jetesës. Kjo ekspozitë nis që me filmat e parë kushtuar Mundimeve të Krishtit deri tek filmi më i fundit i regjisorit amerikan Mel Gibson.
Po më hollësisht, mbi numrin, paraqitjen dhe domethënien e objekteve të kësaj ekspozite në mikrofonin tonë flet drejtori i Muzeumit të Kinemasë në Torino, Alberto Barbera:

Përgjigje: Janë shumë, natyrisht sepse në koridoret e ekspozitës ka më shumë se 300 fotografi kushtuar figurës së Krishtit. Fillohet me figurat, paraqitjet më të hershme të kinemasë hollivudiane deri tek ato më të thjeshtat, që janë edhe më interesantet. Ndërsa nga letërsia veçojmë atë të shkrimtarit Pazolini që mbetet, padyshim një nga xhirimet më dinamike të jetës së Krishtit që ka sot kinemaja.

Pyetje: Figura e Krishtit në kinema mund t’i përshtatet me lehtësi prirjeve kulturore të kohës. Si e interpreton dhe e propozon sot kinemaja atë?

Përgjigje: Film i fundit më i famshëm, i cili përveç tjerash tërhoqi jashtëzakonisht vëmendjen e publikut ishte “The Passion” i regjisorit Mel Gibson, i cili shkaktoi edhe polemika të jashtëzakonshme sepse figura e Krishtit aty përshkohet nëpërmjet filtrit të kulturës së tashme. Le të përmendim pastaj “Jesus Christ Superstar” – filmi muzikal i viteve ’70 me shenja të dukshme të kulturës së asaj kohe dhe të kulturës alternative e cila që prej dhjetë vitesh sundonte në SHBA.

Kryetari i Fondacionit të Entit të Spektaklit, Dario Edoardo Viganò, ka shkruar në parathënien e broshurës shoqëruese të ekspozitës një sprovë mbi figurën e Jezu Krishtit në kinema. Ja si e përmbledh ai me pak fjalë ndihmesën e kinemasë në njohjen e figurës së Krishtit:

Përgjigje: Them se tregimet kinematografike nisen në një farë mënyre nga vetë rrëfimet e mëdha që janë shkruar mbi Krishtin dhe na japin mundësi që ta shohim figurën e Krishtit nga një këndvështrim tjetër, që shpeshherë na bën t’i kthehemi Shkrimit Shenjtë nga ku jemi nisur. Kjo është një lloj pedagogjie e kthimit të vazhdueshëm tek Shkrimi i Shenjtë që të dashurohemi edhe më tepër pas jetës dhe veprave të Krishtit.

Pyetje: A mundet, pra, kinemaja me mjetet e veta shprehëse dhe me ndikimin e saj emocional të na ndihmojë të thellohemi në figurën e Krishtit?

Përgjigje: Them se po, dhe mendoj se kjo vihet re tek filmat e famshëm kushtuar Jezusit që kanë lënë gjurmë në kohë të ndryshme. Në fund pastaj, janë edhe tregimet e ilustruara, fimat mbi Jezusin, që përmbajnë prirjet kulturore të kohës. Po ashtu mendoj se filmat pasqyrojnë edhe debatet kulturore të kohës.







All the contents on this site are copyrighted ©.