2010-03-22 17:13:09

Thirrja e Papës në Engjëllin e Tënzot: të rreptë me mëkatin e të butë me njerëzit, për hir të një drejtësie më të madhe.


(22.03.2010 RV)Të jemi të rreptë, të papajtueshëm me mëkatin – duke nisur nga mëkati ynë – e zemërbutë me njerëzit: këtë ftesë u drejtoi Benedikti XVI besimtarëve gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, në të Dielën V të Krezhmëve.

“Kush prej jush është pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të”: kështu u përgjigjet Jezusi skribëve e farisejve, që i kërkuan të gjykonte një grua të zënë në kurorëshkelje, e cila, sipas ligjit të Moisiut, duhet të mbytej me gurë:
“Këto fjalë janë plot me forcën çarmatosëse të së vërtetës, që shemb murin e hipokrizisë e i hap ndërgjegjeve rrugën për një drejtësi më të madhe, atë të dashurisë, përmes së cilës përmbushet çdo ligj”.
Papa u ndal posaçërisht tek rrëfimi i Shën Gjonit Ungjilltar, shkëputur nga liturgjia e djeshme, që krijonte një skenë të ngarkuar me dramaticitet. Nga fjalët e Jezusit – shpjegoi Benedikti XVI - varet jeta e një njeriu, por edhe vetë jeta e tij, sepse në të vërtetë këta njerëz i kërkojnë Jezusit ta gjykojë mëkataren, për ta vënë në provë e për ta shtyrë të bëjë një hap të gabuar. E Jezusi, që e di mirë çka fshihet në zemrën e çdo njeriu, dëshiron ta dënojë mëkatin, por duke e shpëtuar mëkatarin e duke ia çjerrë maskën hipokrizisë. Kështu mund të themi se Jezusi është Ligjvënësi, është Drejtësia vetë, e prej këndej lind edhe vendimi për të mos e dënuar gruan fajtore. Jezusi – vërejti në vijim Papa – duke e zgjidhur mëkatin e gruas, i hap rrugën për të nisur një jetë të re, rrugën që çon drejt së mirës. “As unë nuk po të dënoj – i thotë – shko, por mbas tashit mos mëkato më”:
“Zoti dëshiron për ne vetëm të mirën e jetën; Ai mendon për shëndetin e shpirtit tonë, përmes shërbëtorëve të tij, duke na çliruar nga sëmundja me sakramentin e rrëfimit, sakrament i pajtimit me Zotin, që askush të mos humbasë, por të gjithë të kenë mundësi të kthehen në rrugën e Zotit”.
Një thirrje të posaçme Papa u drejtoi të gjithë barinjve, që në këtë Vit meshtarak të përpiqen t’i përngjajnë famullitarit Shenjt të Arsit, duke u vënë në shërbim të faljes sakramentore, në mënyrë që besimtarët të rizbulojnë kuptimin dhe bukurinë e ndjesës e të shërohen nga dashuria përdëllyese e Zotit, që shtyhet deri atje, sa ta harrojë me dashje mëkatin tonë, vetëm e vetëm që të na falë:
“Të dashur miq, të mësojmë nga Zoti Jezus që të mos e gjykojmë e të mos e dënojmë të afërmin. Të mësojmë për të qenë të rreptë me mëkatin - duke nisur nga mëkati ynë- e të butë me njerëzit. Na ndihmoftë, për këtë, Nëna e Shenjtë e Zotit, e papërlyera me mëkat, që prandaj është edhe ndërmjetësuese hiri për çdo mëkatar të penduar”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi se të Dielën e ardhshme të Larit, do të kremtohet edhe 25-vjetori i Ditëve Botërore të Rinisë, që nisën me dëshirën e Gjon Palit II. Fjalët e Papës u shoqëruan me duartrokitje të stuhishme nga shtegtarët në Shesh. Për ta kremtuar këtë ngjarje, të rinjtë e Romës e të Lacios do të mblidhen të enjten, më 19 mars, në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku.
“Ju pres të vini me shumicë!” - i ftoi Benedikti XVI të rinjtë, që nuk kanë munguar asnjëherë, kur u ka bërë thirrje Papa.RealAudioMP3
 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.