2010-03-22 11:50:03

Ribotohet vepra e Pjetër Pepës “Dosja e diktaturës”


(22.3.2010 RV)"Dosja e Diktaturës",shkruar nga studiuesi, shkrimtari, diplomati dhe mjeku Pjetër Pepa u prezantua mesditën e së shtunës në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Pas 15 vjetësh kjo vepër që vjen sërish në duar të lexuesve, e përpunuar dhe mbushur me më shumë materiale, sjell fakte tronditëse të historisë shqipare në periudhën e diktaturës komuniste.
Sipas historianit Uran Butka, ky ribotim sjell dhe një herë në vëmendje të lexuesit evidentimin, studimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. "Për t'a shkruar, autori ka studiuar dosjet ushtarake të diktaturës dhe përshkruan me hollësi një pjesë të gjyqeve ushtarake kundër klerit katolik", tha Butka.
Ndërsa akademiku Kolec Topalli e vlerësoi ribotimin e veprës "Dosjet e diktaturës" si një homazh për të gjithë viktimat e komunizmit, shtoi se "Kjo është puna më e dobishme që mund të bëjë një intelektual. Ky është libri prej të cilit mësohet e vërteta e diktaturës, që bën histori dhe hyn në histori".
Për autorin Pjetër Pepa, është një lehtësim i madh që arrin më në fund të botojë të plotë këtë vepër, pasi siç thotë vetë "personazhet e mi, njerëzit që vuajtën dënime të tmerrshme në burgjet e diktaturës, unë i kam mbajtur gjithnjë me vete gjatë këtyre 20 viteve. Zërin e tyre e kam ngritur në parlament, e kam çuar në Vatikan, e kudo që kam punuar. Më në fund i sjell të plotë dhje për lexuesin".
Në këtë botim lexuesi mund të gjejë tema tronditëse e personazhe me histori rrënqethëse si "Kleriku që e hëngrën qentë e Sh'Palit, Mirditë - Dom Mark Gjani", "Visaret e Kombit të përgjakur nga diktatura - At Bernardin Palaj", "Bab e Bir të denjë për njeri - tjetrin - Hafiz Ali Kraja (Tari) e Mehdi Kraja", "Si e pushkatuan në Permet meshtarin e ri - Dom Dedë Maçaj", "Si u vra i katërti i universit Gazullian - Dom Nikoll Gazulli", "Ikja nga Ferri i pushkatimeve - Imz. Zef Shestani, Imz. Frano Karma, Imz. Zef Oroshi" e të tjera si këto.

Dr. Pjetër Pepa u lind në vitin 1942 në qytetin e Shkodrës, ku kreu mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960 - 1965, kryen me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Emërohet mjek stomatolog, në Klinikën e qytetit të Shkodrës. Falë pasionit për mjekësinë, merr pjesë aktive, në sesionet e para shkencore në shkallë vendi, që zhvillohen në vitin 1967, në vendlindje e rrethet të tjera, sidomos Fakultetit në kryeqytet.
Në vitet 1969 - 70 shërben në lokalitetin e thellë malor të Dukagjinit, ku vijon të mbledhë materiale e botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme. Në 1974, specializohet pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Jep provimet pasuniversitare, në gjuhët italisht, frëngjisht, rusisht, më pas përvetëson gjuhën gjermane. Pengohet për motive politike të mbrojë disertacionin, për gradën Doktor i shkencave, të cilën e merr në vitin 1992, me temën: "Epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike në fëmijët e qytetit të Shkodrës".
Në periudhën 1990 - 1997, përfshihet në proceset demokratike. Zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura radhazi. Pepa kreu detyrën e diplomatit si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë (Vatikan), Romë gjatë vitit 1997. Më 1998, kthehet në profesion të lirë dhe përkohësisht si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë.
Pjetër Pepa është autor i shumë vepra shkencore, historike dhe kulturore në Shqipëri dhe Itali, ndër të cilat, "Dosja e diktaturës" 1995; "Paggine sulla dittatura", Terlizzi 1998; "The Criminal File Of Albania's Comunist Dictator", 2003; "Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike në Shqipëri", 2007; "Dosja e Diktaturës e plotësuar", Ribotim, 2009, etj. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.