2010-03-22 17:13:24

Ipeshkvijtë skandinavë në vizitë ‘ad Limina’: sfidat e pakicës katolike në një botë të shekullarizuar.


(22.03.2010 RV)Ipeshkvijtë e Skandinavisë filluan sot vizitën e tyre ‘ad Limina’, në Vatikan. Kjo Konferencë ipeshkvnore përfshin pesë vende: Suedinë, Norvegjinë, Finlandën, Danimarkën e Islandën. Katolikët e kësaj zone janë pakicë: nuk arrijnë as në 3% të popullsisë, me fe që vijojnë të bëhen gjithnjë më të përzjera. Për situatën e Kishës në zonën veri-evropiane, flet, në mikrofonin tonë, imzot Anders Arborelius, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Skandinavisë:

Përgjigje: - Shumica e katolikëve të Skandinavisë është me origjinë të huaj e numri i tyre vijon të rritet çdo vit, falë emigracionit. Vijnë vazhdimisht katolikë nga Polonia, Lituania, Amerika Latine, Afrika, Lindja e Mesme. Kanë ardhur edhe shumë të krishterë irakianë. Jemi, pra, para sfidës për t’i bashkuar gjithë këta besimtarë, që vijnë nga vende të ndryshme. Në një famulli fare të vogël, mund të gjesh besimtarë me 50 e më shumë kombësi. Sfida për ne është t’i ndihmojmë këta njerëz të rriten së bashku e të formojnë një trup të vetëm kishtar.

Pyetje: - Shoqëritë skandinave janë shumë të shekullarizuara. Si e përballon këtë situatë Kisha vendase?

Përgjigje: - Këto janë rrethanat, në të cilat jetojmë e detyra jonë e përditshme është të përpiqemi për të qenë dëshmitarë të fesë, në një shoqëri tejet të shekullarizuar. Megjithatë, vërejmë se edhe në këtë shoqëri, nuk mungon interesi për fenë: gazetat flasin për lutjen, për Zotin e për Kishën. Nganjëherë, është e vërtetë, me frymë jashtëzakonisht kritike, por ama flasin! Heshtja do të ishte akoma më e keqe. Më parë gjendja ishte krejt e ndryshme, sepse nuk bëhej asnjë pyetje për fenë. Madje nuk zihej fare në gojë. Ndërsa tani diskutimi është hapur përsëri e njerëzit janë më të interesuar, nga sa mendohet. Kjo është një mundësi e re për t’u kumtuar Ungjillin njerëzve të Skandinavisë.

Pyetje: - Ç’ kujtim la vizita e Gjon Palit II në këto vise veriore të Evropës?

Përgjigje: - Hapi shumë porta: shoqëria kuptoi se katolicizmi është realitet në viset tona e mendoj se, posaçërisht për grupet e tjera të krishtera, ishte një lloj zbulimi. Kjo, sepse ndokush e kuptoi, më në fund, se katolikët janë të krishterë e jo besimtarë të kushedi çfarë lloj feje tjetër.

Pyetje: - Në majin e ardhshëm, Konferenca ipeshkvnore skandinave do të organizojë Kongresin kushtuar familjes. Ç’mund të na thoni për këtë kongres?

Përgjigje: - Për ne familja është gjithnjë më e rëndësishme në shoqërinë tonë, ndonëse ende e ligësht, ende e paaftë për të fituar mbi ideologjinë individualiste. Përpjekja për ta vënë familjen në vendin e parë, duhet konsideruar si veprimtari ungjillëzuese. Mendojmë se vizioni i krishterë i familjes mund të jetë shumë i rëndësishëm, si rrugë për të përhapur Ungjillin në popujt skandinavë.

Pyetje: - Ç’marrëdhënie keni me Kishat e tjera të krishtera, posaçërisht me Kishën luterane?
 
Përgjigje: - Me Kishën luterane sapo kemi përfunduar një dialog për Doktrinën e shfajsimit, që do të pasohet edhe nga një dokument i përbashkët. Në këtë pikë jemi vërtetë pranë, gjë që nuk mund të thuhet për shumë pika të tjera, që na ndajnë. Martesat homosksuale, për shembull, të cilat u njohën nga Kisha luterane e Suedisë. Ky ishte një çast vërtetë tragjik për dialogun ekumenik.
Gjithsesi, duhet të vijojmë të kërkojmë terrene të përbashkëta për dialog, ashtu si me Kishën ortodokse e me Kishat lindore, që janë të pranishme në vendet tona. Ekumenizmi është bërë tashmë një detyrë urgjente në këto vise, ku të krishterët janë pak, e prandaj është shumë e rëndësishme të dëshmojmë se kemi një fe të përbashkët në Jezusin, sepse shumë njerëz jashtë Kishave, flasin vetëm për ndeshje ndërmjet të krishterëve.

 
Pyetje: - E me bashkësitë e tjera fetare?

Përgjigje: - Në Suedi po shtohet gjithnjë më shumë numri i besimtarëve myslimanë. Në Malmo, për shembull, ka më shumë njerëz që shkojnë në xhami sesa në kishën luterane. Feja islame po zë vendin e parë numerik në vend. Është prandaj urgjente të dialogojmë, edhe pse në shumë pika nuk kemi të njëjtin opinion, por mund të ketë edhe pika takimi. Për shembull, myslimanët nuk i pranojnë martesat homoseksuale. Por ka edhe vështirësi të panumërta. Mjafton të kujtojmë të krishterët që ikin nga Iraku për të shpëtuar nga sulmet e islamikëve, sapo vendosen këtu, gjenden përsëri përballë të njëjtave sulme.
Së fundi, me bashkësinë hebraike kemi marrëdhënie shumë të mira, posaçërisht në Suedi, ku katolikë e hebrej kanë qenë gjithnjë pakica e janë përfshirë në të njëjtën betejë për të drejta të barabarta.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.