2010-03-20 13:34:50

Vepra “Ndihmë për Kishën që vuan” u përgatit shpirtërisht për ditën e 24 marsit, që i kushtohet flijimit të misionarëve.


(21.03.2010 RV)Nga data 19 deri më sot, 21 mars, në tri ditë reflektimi mbi Mundimet e Krishtit e të Kishës, Vepra “Ndihmë për Kishën që vuan” u përgatit shpirtërisht për ditën e 24 marsit, që i kushtohet flijimit të misionarëve, me titull “In memoria Martyrum. Nëse kokrra e grurit nuk vdes…”. Shumë aktivitete u zhvilluan pranë Universitetit Lateranens e në bazilkat e kishat e Romës, me pjesëmarrjen e veprimtarëve të baritorisë misionare dhe të ipeshkvijve nga e gjithë bota, të impenjuar në misionin “ad gentes”.
E veçantë, dita e premte, gjatë së cilës u shfaq një film mbi meshtarët martirë, ndërsa pasdite, në kishën e shën Gjon Gojartit, u kremtua Mesha e kryesuar nga një ipeshkëv i Pakistanit si edhe Udha e Kryqit. Të shtunën, një tryezë e rrumbullakët, frymëzuar nga shprehja e Tertulianit “gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj”, mblodhi në Universitetin Lateranens, autoritete kishtare të shumta. Sot, në orën 12, u mbajt mesha e kremtuar nga asistenti shpirtëror i Veprës “Ndihmë për Kishën që vuan”, ndërsa pasdite, u shfaq filmi “Popielushko”, mbi meshtarin e “Solidarnoshit” polak. Ndërsa ne po transmetojmë, në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë mureve, po zhvillohet një lutje në kujtim të misionarëve martirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.