2010-03-20 13:35:00

Në Norça e në Subiako kujtohet shën Benedikti, Pajtor i Evropës


(21.03.2010 RV)Dioqeza e Spoleto-Norçës në Itali kujtoi dje e sot Shën Benediktin, Pajtor i Evropës, duke vënë në pah pikërisht rolin që pati shenjti në formimin e Europës së krishterë. Domethënëse, arritja e “Pishtarit benedektin” në sheshin e Shën Benediktit në Norça, në praninë e autoriteteve vendase e të ambasadorëve të huaj, si edhe të atyre kishtare. Pishtari mbërriti në Itali në fund të një udhëtimi, filluar më 21 shkurt, i cili e çoi më parë në Këln të Gjermanisë dhe në Hamilton e Trenton të shtetit Nju Xhersi, në SHBA. Gjatë ceremonisë, reliket e Shën Benediktit iu dorëzuan kryeipeshkvit të vendit, imzot Bokardo. Në përfundim të ditës së djeshme, u kremtua Përkujtimi i Kalimit të Shën Benediktit në amshim, në Bazilikën që mban emrin e Bashkëpajtorit të Evropës, i cili ka lindur pikërisht në Norça.
Paraditen e sotme, pas ofertës së paljove nga ana e grupeve që kujtojnë zona të lashta nursine, u kremtua Mesha Solemne në Bazilikën e Shën Benediktit, kryesuar nga kryeipeshkvi i vendit në bashkëkremtim me meshtarët e dioqezës. Pasdite, një tjetër manifestim tradicional: “Turneu i balestrës së lashtë”, i ndjekur nga Lutja Mbrëmësore në Bazilikën e Shenjtit. Në përfundim të manifestimeve për këtë vit u zhvillua procesioni me reliket e Shën Benediktit. Kujtimi u Kalimit në amshim të Shën Benediktit u kremtua edhe në Subiako, pranë Romës, ku shenjti ka jetuar si eremit, para se të shkonte në Montekasino, ku themeloi kuvendin e famshëm, nga i cili u rrezatua kultura e krishterë për krejt Evropën. Qyteti do t’i vazhdojë kremtimet edhe nesër.







All the contents on this site are copyrighted ©.