2010-03-20 10:47:40

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit kishtar “C"


(21.3.2010 RV)Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë së dielës, këtë herë do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik.....RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele vijon me temën e kumtimit të Ungjillit e të ndjekjes ( ecjes gjurmëve) të Jezusit. Tema kryesore e Fjalës së Zotit të kësaj së diele është ajo e thirrjes, sikur do të dëgjojmë në tri leximet biblike. Fjala e Zotit e kësaj së diele na ndihmon të kuptojmë se si në planin e Zotit, në planin e dashurisë së tij, gjen vend të rëndësishëm impenjimi i njeriut, bashkëpunimi i tij në përhapjen e mesazhit të shpëtimit. Zoti i thërret të gjithë, edhe atë që nuk dëgjon!

Hyji ka dashur që Fjala e tij të përhapej në saje të bashkëpunimit të njeriut. Para kësaj përgjegjësie të madhe, reagimi i parë i çdo njeriu duket se është i përbashkët; peceptimi i paaftësisë, i papërshtatëmërisë personale për një mision kaq fisnik e të lartë që vjen nga Zoti. Kështu ishte për Izainë profet, i cili e konsideron veten “njeri me buzë të papastërta”, e Pali pohon, “unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull”. Po kështu edhe Pjetri, para fuqisë së fjalës së Mësuesit Hyjnor, nuk mundi të bëj asgjë tjetër përpos se të rishqyrtojë gjendjen personale prej mëkatari.

Vetëm hiri i Zotit që na dhurohet falas, mund ta ripërtijë brendinë e zemrës e të shpirtit e të na bëjë të aftë të jemi atë çka nuk do të kishim menduar kurrë të bëhemi e të jemi. Thirrja është të mos kemi frikë, sepse me Zotin gjithçka është e mundur në jetë. Thirrja e Zotit nuk është vetëm për të ndjekur rrugën e jetës meshtarake e rregulltare, por që të gjithë të bëhemi e të jemi bijë të Zotit, të krishterë të vërtetë, bartës të dashurisë, ndërtuesë të pajtimit. Kisha është e tërë misionare po sot ka pak misionarë, Kisha është e tërë apostolike po mjerisht ka shumë pak apostuj. Këndej të gjithë, priftërinjë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë jemi të thirrur prej Zotit t’ia kumtojmë me fjalë e me jetë dashurinë e Tij hyjnore çdo personi, botës mbarë. Thirrja e Zotit është dhuratë: e këte askush nuk duhet ta harrojë se është person i thirrur për një jetë të re të vërtetë në përkim e harmoni me çdo njeri.

Nëse duam më shumë thirrje, secili le ta jetojë thirrjen personale. Nëse duam më shumë apostuj, secili ta jetojë e zbatojë pjesën e vet të apostullimit. Me pak fjalë: të bëhemi e të jemi vërtetë të krishterë e atëherë do të jetë më lehtë ta dëgjojmë zërin e Jezusit dhe ti përgjigjemi thirrjes së Tij.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 43, 16-21

Populli hebraik ka qenë internuar në Babiloni. Profeti ka për detyrë t’i kujtojë popullit mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit, i cili ashtu siç kishte liruar hebrenjtë nga skllavëria e Egjiptit, kështu tani do ta lirojë popullin e tij dhe do ta dërgojë në tokën e vet. Hyji vetë do të hap rrugën në shkretëtirën e historisë dhe do të ofrojë shpëtimin. Ai do të bëhet, në Jezusin, “udhë” jete për çdo njeri.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë se bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’do të ngriten, u fikën si fitili, u shqimën.
Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi.
Fjala e Zotit.


Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne
----------
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
----------
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
----------
Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
----------
Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
----------

Leximi i dytë Fil 3, 8-14

Pali, pas takimit me Krishtin, e ndryshoi jetën e tij. Nëse më përpara ndiqte me pasion ligjin dhe përndiqte e burgoste dishepujt e Krishtit, tani ndjek me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin vrull Krishtin. Ka fshirë gjithçka para syve dhe nuk sheh asgjë tjetër përveç Krishtit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj qeë, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus. Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.
Fjala e Zotit.


Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti,
po që të kthehet e të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 8, 1-11

Jezusi nuk pohon se mëkati i gruas kurorëshkelëse është një fakt pak i rëndësishëm, në të kundërt i deklaron asaj: tani e më vonë mos mëkato më.
Në sytë e Jezusit mëkati është pabesnikëri ndaj dashurisë së Hyjit, por nuk do t’i dënojë njerëzit në mëkatin e tyre, sepse beson në mundësinë e kthimit për secilin prej nesh. E për këtë na thërret në një dashuri të ripërtërirë, përtej egoizmave tanë, në një jetë të re.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.
Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.