2010-03-20 13:34:23

Letra Baritore e Papës drejtuar katolikëve të Irlandës.


(20.3.2010 RV)Papa i drejton një Letër Baritore të gjithë Katolikëve të Irlandës për të shprehur tronditjen e tij të thellë, shkaktuar nga abuzimet që janë bërë kundër të rinjve nga ana e disa përfaqësuesve të Kishës, si dhe shqetësimin për mënyrën me të cilën janë trajtuar nga ipeshkvijtë irlandezë e nga eprorët rregulltarë. Ati i Shenjtë kërkon që Letra të lexohet me vëmendje në tërësinë e saj. Në këtë Letër Papa nënvizon se ndjehet shumë pranë bashkësisë katolike irlandeze në këtë kohë plot me hidhërim, se lutet për të e se propozon një udhë shërimi e përmirësimi, përtëritjeje e shpërblimi.
Papa u kërkon atyre të kujtohen për shkëmbin nga i cili janë prerë e shkëputur (krh Is 51,1), e pastaj përmend në mënyrë të veçantë kontributin që i dhanë qytetërimit të Evropës misionarët irlandezë, të cilët shkrinë jetën për ta përhapur krishterimin deri në skajet më të largëta të tokës. Në vitet e fundit, fesë në Irlandë i është dashur të përballojë shumë sfida, si pasojë e ndryshimit të shpejtë shoqëror, që çoi në dobësimin e lidhjes e të dashurisë për praktikat e përshpirtshme e sakramentaleve tradicionale. Në këtë kontekst duhet kuptuar mënyra me të cilën Kisha përballoi problemin e abuzimeve seksuale të të miturve e të rinjve.
Janë shumë faktorët që kanë shkaktuar lindjen e këtij problemi: formimi i pamjaftueshëm moral e shpirtëror nëpër seminare e nëpër noviciate, tendenca në shoqëri që favorizon klerin e figura të tjera me autoritet, shqetësimi i tepruar për të mbrojtur emrin e mirë të Kishës e për të shmangur skandalet, gjë që sjell mungesën e marrjes së masave ndëshkimore, kur është nevoja, duke penguar edhe zbatimin e dënimeve sipas të drejtës kanonike kishtare në fuqi. Vetëm duke shqyrtuar me vëmendje elementet e shumta që janë në zanafillën e krizës, është e mundur të identifikohen me saktësi shkaqet e të gjenden ilaçet e duhura.
Gjatë vizitës së tyre ad Limina në Romë në vitin 2006, Papa i porositi ipeshkvijtë irlandezë të “zbulojnë të vërtetën mbi atë që ndodhi në të kaluarën, të marrin e të zbatojnë të gjitha masat për të shmangur rrezikun e përsëritjes në të ardhmen e, sidomos, të përpiqen për të shëruar viktimat dhe të gjithë ata që u dëmtuan rëndë nga këto krime tejet të shëmtuara e të urryera”. Nga ai çast ai deshi të takonte viktimat në shumë raste, për t’i dëgjuar, për t’u lutur me ta e për ta, me gatishmëri të plotë për ta bërë këtë përsëri edhe në të ardhmen. Në shkurt të vitit 2010 ftoi në Romë ipeshkvijtë irlandezë e shqyrtoi me ta masat që duheshin marrë për të zgjidhur problemin, duke i kushtuar vëmendje të posaçme procedurave e protokolleve në fuqi, në mënyrë që të sigurohej mbrojtja e të miturve dhe të rinjve në mjediset kishtare dhe t’u jepej menjëherë përgjigjja e duhur dhe drejtë denoncimeve për abuzime. Në këtë Letër Baritore Papa flet në mënyrë të drejtpërdrejtë për disa grupe brenda bashkësisë katolike irlandeze, në dritën e situatës që është krijuar e që tashmë është e njohur nga të gjithë.
Duke iu drejtuar, para së gjithash, viktimave të abuzimeve, Papa është i vetëdijshëm për tradhtinë e tmerrshme, për vuajtjet e rënda, dhe u shpreh keqardhjen e tij, shqetësimin dhe hidhërimin për gjithë atë që kanë pësuar. Papa pranon se në shumë raste askush nuk qe i gatshëm t’i dëgjonte viktimat, kur morën guximin për të folur, për të treguar atë që u pati ndodhur. Ati i Shenjtë e kupton se ata që banonin nëpër konvikte duhej të ishin dëgjuar. Por nuk u dëgjuan! Prandaj Papa shpreh keqardhjen e tij të thellë, që zëri i viktimave ra në veshë të shurdhër e ata nuk gjetën asnjë rrugë tjetër, për të dalë nga kjo situatë tejet e rëndë. Duke e pranuar se shumë prej atyre, që pësuan shpërdorime, nuk e kanë të lehtë të falin e të pajtohen me Kishën, Papa i nxit të mos e humbasin shpresën. Jezu Krishti, edhe Ai vetë viktimë e vuajtjeve të padrejta, e kupton tmerrin e vuajtjes së tyre dhe pasojat e saj të rënda, që nuk shlyhen lehtë nga kujtesa. Megjithëkëtë, pikërisht plagët e Tij, të shndërruara nga mundimet e vuajtjet shëlbuese, janë mjete përmes së cilave pushteti i së keqes asgjësohet e ne rilindemi në jetë e në shpresë. Papa i këshillon viktimat të kërkojnë në Kishë rastin për ta takuar Jezu Krishtin e për të gjetur shërimin dhe pajtimin, duke zbuluar kështu dashurinë e pakufishme që Krishti ka për secilin prej tyre.
Në fjalët e tij drejtuar priftërinjve e rregulltarëve, që kanë bërë abuzime kundër të miturve e të rinjve, Papa u kujton se duhet të përgjigjen para Zotit e para gjykatave përkatëse, për veprat mëkatare e kriminale, që kanë bërë. Ata e tradhtuan besimin e shenjtë, e hodhën turpin e çnderimin edhe mbi sivëllezërit e tyre, duke dëmtuar rëndë si viktimat, ashtu edhe figurën e meshtarit e të rregulltarit në Irlandë. Ndërsa kërkon prej tyre t’i nënshtrohen drejtësisë, Papa u kujton se nuk duhet ta humbasin besimin në mëshirën e Zotit, sepse Ai i fal edhe mëkatarët më të mëdhenj, nëse pendohen për veprimet e tyre e kërkojnë përvujtërisht falje.
Papa inkurajon prindërit të jenë të qëndrueshëm e të fortë në detyrën e vështirë të edukimit të fëmijëve, ta dinë se janë të dashur e respektuar, të kultivojnë një vlerësim të shëndoshë ndaj vetes.
Prindërit kanë përgjegjësi kryesore në edukimin e brezave të rinj sipas parimeve morale, thelbësore për qytetërimin civil.
Papa i fton të rinjtë e të rejat të gjejnë në Kishë rastin e volitshëm për një takim përtëritës me Krishtin; i porosit të mos ndahen e të mos largohen nga Zoti, për shkak të mangësive e të fajeve të disa priftërinjve e rregulltarëve. Ai mbështetet në kontributin e të rinjve për përtëritjen e Kishës . Ati i Shenjtë u jep zemër edhe priftërinjve e rregulltarëve, duke i nxitur të mos e humbasin guximin; përkundrazi, të përforcohen e përtërihen në përkushtimin e tyre baritor, duke e vijuar misionin, në harmoni me eprorët e tyre, në mënyrë që t’i japin Kishës në Irlandë një jetë të re e një dinamizëm të ri, përmes dëshmisë së tyre të gjallë në veprën shëlbimprurëse të Jezu Krishtit Zot.
Duke iu drejtuar ipeshkvijve irlandezë, Papa nënvizon gabimet e rënda në gjykimin e abuzimeve dhe dështimin e laedershipit të shumë prej ipeshkvijve, sepse nuk i zbatuan në mënyrë të drejtë procedurat kanonike kishtare në përgjigje ndaj denoncimeve të abuzimeve. Megjithëse është vështirë të përballosh situata të tilla të ndërlikuara, mbetet fakti se janë bërë gabime serioze e si pasojë, shumë prej ipeshkvijve e humbën besueshmërinë. Papa inkurajon të bëhen vendosmërisht të gjitha përpjekjet për të gjetur ilaçin e duhur, për t’i ndrequr gabimet e së kaluarës e për të parandaluar përsëritjen e tyre, duke zbatuar deri në fund të drejtën kanonike kishtare e duke bashkëpunuar me autoritetet civile në fushën e kompetencave të tyre. Më tutje i fton ipeshkvijtë të impenjohen për t’u bërë të shenjtë, për të qenë shembull e për t’i mbështetur meshtarët e besimtarët, që edhe ata të jenë pjesëtarë aktivë në jetën dhe misionin e Kishës.
Së fundi, Papa propozon disa hapa të veçanta për të nxitur përtëritjen e Kishës në Irlandë. U kërkon të gjithëve të ofrojnë pendesën e tyre çdo të premte, gjatë një periudhe një vjeçare, për riparimin e mëkateve e të abuzimeve që janë vërtetuar. I porosit të rrëfehen rregullisht e të marrin pjesë në adhurimin eukaristik.
Papa, pastaj, njofton se ka ndërmend të nisë Vizitën Apostolike në disa dioqeze, kongregata rregulltarësh e seminare, me pjesëmarrje të Kuries Romake, dhe propozon një Mision në nivel kombëtar për ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët në Irlandë. Në këtë Vit kushtuar Meshtarëve në mbarë botën, Papa paraqet përsëri figurën e Shën Gjon Maria Vianejt si model e ndërmjetësues për ringjalljen e misionit meshtarak në Irlandë. Pasi falënderon të gjithë ata që janë impenjuar me urti e shpejtësi për ta përballuar vendosmërisht problemin, përfundon duke propozuar një Lutje për Kishën në Irlandë, që të përdoret nga të gjithë besimtarët për të kërkuar hirin dhe bekimin e shërimit e të përtëritjes, në këtë kohë të vështirë.
Jua nis këtë Letër, shkruan Papa, me dashurinë e një të krishteri që, ashtu si ju, u shkandullua e u plagos rëndë nga goditja, që pësoi Kisha jonë e dashur.









All the contents on this site are copyrighted ©.