2010-03-20 13:34:41

Kardinal Ruini: sfida e Zotit në Perëndim


(21.03.2010 RV)Është në librari tashmë libri mbi takimin ndërkombëtar “Zoti sot: me Të, ose pa Të, ndryshon gjithçka”, që u zhvillua në Romë në dhjetorin e vitit të kaluar nga Komiteti për Projektin kulturor të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Në libër përmblidhen ngjarjet më të rëndësishme të atij kuvendi, për frytet e të cilit flet në mikrofonin tonë kryetari i Komitetit, kardinali Kamilo Ruini:
Fryti ishte pa dyshim vendosja e temës së Zotit në qendër të vëmendjes, si temë thelbësore dhe e pashmangshme. Pastaj, frytet e tjera do të shihen me kohë, siç është për shembull fakti që libri mbi takimin u shit menjëherë, sapo doli nga botimi. Po shtypim kopje të tjera.
Cilat kanë qenë reagimet mbi diskutimet që u bënë, sidomos përsa i përket vendosjes së Zotit në qendër të kulturës bashkëkohore?
Mendoj se duhet të ngulim këmbë në këtë tematikë për t’u treguar të gjithëve sa e rëndësishme është kjo temë, që ka tri aspekte. I pari është i qartë dhe vë theksin mbi ekzistencën e Zotit, pra përpiqet të ofrojë motivet për të cilat ne besojmë në Hyjin. I dyti ka të bëjë me rëndësinë që Zoti ka për ne, për të tashmen dhe për të ardhmen, për jetën tokësore dhe për jetën e amshuar: me Të, ose pa të, gjithçka ndryshon. Dhe, aspekti i tretë, për të cilin ndoshta flitet më pak, është se duhet vërtet ta njohim Zotin e arsyeja njerëzore – sigurisht – mund të na japë disa koordinata për faktin se Zoti ekziston, si para, ashtu edhe pas kësaj bote. Por për të hyrë më në thellësi në jetën e Zotit, e sidomos në misterin e Tij e në mënyrën si sillet me ne, nuk mjafton arsyeja. Flitet me të drejtë mbi faktin se Jezusi na ka mësuar ta duam Zotin mbi çdo gjë, dhe ta duam të afërmin si vetveten. Por më parë, Jezusi na e dëshmoi – pra jo vetëm na mësoi, por na dëshmoi – me jetën e vet se Zoti na do, se Zoti është miku ynë e, siç thotë shpesh Benedikti XVI, Zoti është mik i njeriut: atë dhe mik. Pavarësisht nga përvoja kontradiktore njerëzore, mbetet ky fakt i pamohueshëm se Zoti na do, se dëshiron të mirën tonë dhe se di të nxjerrë të mirën nga e keqja.
Sipas jush, si ka ndryshuar në kohën tonë besimi i njerëzve për Zotin?
Prej shumë vitesh tashmë, ka ndryshime të mëdha. Të besosh në Zotin, ose të mos besosh në Zotin janë dy mundësi, dy vendime, që i kemi njëkohësisht para nesh. Në këtë kuptim, besimi në Zot është bërë një vendim më personal, më i lirë, por edhe më impenjativ. Kjo sjell ndryshime në baritorinë e Kishës, e cila duhet të jetë më misionare. Ky është kuptimi i thellë i ungjillëzimit të ri, për të cilin fliste Gjon Pali II dhe i shqetësimit të vazhdueshëm për praninë e Zotit në botë, siç përmend gjithnjë Benedikti XVI, i cili thotë se çështja e Zotit është sot çështje qendrore. Prandaj impenjimi i Kishës në Perëndim, pasi pikërisht në Perëndim është krijuar kjo sfidë e re, është t’u japë njerëzve të gjitha motivacionet për të kuptuar e pranuar fenë në Zotin. Këto motivacione janë racionale, por edhe shpirtërore e rrjedhin nga dëshmia e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.