2010-03-20 13:35:23

Drejtësia përreth nesh: intervistë me ipeshkvin e Ariano-Irpino-Laçedonisë


(21.03.2010 RV)Krezhmët janë kohë për përtëritjen e shpirtit. Papa i fton besimtarët të reflektojnë në këtë periudhë për drejtësinë e Zotit, që shfaqet përmes fesë në Krishtin. Por si mund të kontribuojmë në arritjen e drejtësisë përreth nesh? Për të folur mbi këtë argument, ftuam në mikrofonin tonë, ipeshkvin e Ariano-Irpino-Laçedonisë në Itali, imzot Xhovani D’Alize:
Më duket se po kalojmë një moment shumë të vështirë krize dhe kisha e të krishterët kanë një detyrë të veçantë, të jenë alternativë drejtësie në këtë botë. Më duket se Papa ka dhënë një sugjerim shumë të vlefshëm: nuk kemi të bëjmë me drejtësi distributive, por me drejtësi hyjnore, që duhet sjellë në diskutimin mbi Mbretërinë e Zotit mbi tokë. Është e reja, që duhet të përpiqemi t’ua ngulisim besimtarëve. Drejtësia e Zotit është mëshira, e cila nuk i bën personat të parëndësishëm, por i impenjon edhe më shumë. Është pikërisht mënyra e jetesës ajo që duhet ndryshuar. Duhet të jemi më të përkorë e sidomos të mendojmë më shumë. Të krishterët duhet të dinë t’i kushtojnë rëndësi më thelbësores, që e ngre njeriun nga thellësitë e mëkatit në lartësitë e ringjalljes, të një bote të re, që duhet jetuar me shpirt.
Ç’do të thotë të jetohet me dritën e fesë ky moment i veçantë i historisë, në të cilin të krishterët mund të japin dëshmi si askush tjetër?
Unë besoj se të krishterët duhet të zhyten në Krezhmë, por sidomos në misterin e Pashkëve. Jezu Krishti nuk na paraqitet si Triumfator, edhe pas ngjalljes. Ai bën pjesë në gjërat që ndodhin, është ringjallur, por mban shenjat e vështirësive të të tjerëve. Edhe Kisha është akoma në rrugë, pikërisht sepse Krishti është ngjallur. Kisha duhet të ndjekë të Ringjallurin, jo në triumf, por në përvujtëri, në impenjimin e përditshëm e sidomos në qetësinë e brendshme në çastet më të vështira të jetës, të cilat janë të shumta. Familjet për shembull, zhyten gjithnjë e më thellë në varfëri në një botë, ku fitojnë mashtruesit. Por të krishterët nuk duhet të bëhen mashtrues. Duke qenë të vetëdijshëm për shpresën që bartin mbi vete, duhet të japin dëshminë e solidaritetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.