2010-03-20 18:03:01

Atë Lombardi: Papa është gjithnjë kundër kulturës së heshtjes, kur bëhet fjalë për shpërdorime seksuale.


(20.03.2010 RV)Papa është impenjuar gjithnjë kundër kulturës së fshehjes e të heshtjes: këtë pohon drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi i cili, gjatë një takimi të shkurtër, u shpjegoi gazetarëve përmbajtjen e Letrës baritore të Papës drejtuar besimtarëve irlandezë. Një dokument, tha Atë Lombardi, që e dënon rëndë pedofilinë e nuk bën asnjë lëshim, kur është fjala për të vërtetën e për drejtësinë.

Vërtetësi, vetëdije, dhimbje, pendesë, impenjim: Atë Federiko Lombardi theksoi fjalët kyçe për të shpjeguar kuptimin e vërtetë të Letrës së Papës drejtuar besimtarëve irlandezë. Një dokument, vërejti rregulltari jezuit, i shkruar me stil të thjeshtë, me ndjenja atërore, me frymë prekëse, shenjë që tregon se Papa vuan bashkë me viktimat e shpërdorimeve. Një Letër e kësaj natyre, pohoi, nuk është shkruar deri më sot nga asnjë Papë:
“Është një dokument i ndershëm, i sinqertë, që nuk kërkon shfajsim. Letra baritore përqendrohet me ndershmëri e drejtësi tek Kisha, tek përgjegjësitë e anëtarëve të Kishës, tek vuajtja që i shkaktuan të tjerëve, e nuk përpiqet t’i bëjë dredha problematikës".
Atë Lombardi vuri theksin edhe mbi realizmin e Papës i cili, para se ta botonte këtë Letër, u njoh me raportet qeveritare irlandeze Ryan e Murfy dhe u takua me ipeshkvijtë e vendit:
Papa nuk mendon se është diçka e thjeshtë, që mund të zgjidhet shpejt e shpejt. Ai thotë: “Ky është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Atë Lombardi vuri theksin mbi impenjimin e Papës kundër pedofilisë në Kishë e kundër kulturës së heshtjes, që kur ishte kardinal:
Kush e njeh situatën e edhe detyrën e kryer nga Papa, bindet se Papa ka kërkuar vazhdimisht të sqarohet gjithçka, pa fshehur asgjë e se, edhe gjatë kohës kur kryesonte Kongregatën për Doktrinën e Fesë, nuk punoi që t’i mbulonte, ose t’i fshihte problemet, por u përpoq me vendosmëri gjithnjë më të madhe t’i sqaronte e të ndërhynte për t’u dhënë fund”.
Letra, tha drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, është një dokument baritor e prandaj nuk ndalohet tek masat administrative e juridike, që kanë të bëjnë me dorëheqjen e mundshme të prelatëve irlandezë, vendime të cilat natyrisht i takojnë Papës. Njëkohësisht, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë shpjegoi se sot për sot nuk po përgatitet ndonjë dokument i Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi këtë çështje.
Atë Lombardi ripohoi, më pas, se njerëzit e Kishës janë të thirrur të respektojnë ligjet e vendeve ku jetojnë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet civile. Kisha, shtoi, paraqitet si autoritet moral, e prandaj këto krime bëhen edhe më të shëmtuara, kur kryhen nga kishtarët. Së fundi, lidhur me situatën e shpërdorimeve në Gjermani, Atë Lombardi pohoi se çdo vend ka veçantinë e vet e se i takon Papës të zgjedhë kohët e mënyrat e veprimit.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.