2010-03-19 16:36:34

Shën Jozefi, sipas Papës: “Drejtësia e thjeshtësia e tij janë dhanti themelore në botën tonë të zhurmshme”.


(19.03.2010 RV)Urdhëra e Kongregata rregulltare, shoqata laike e një numër i madh entesh me natyra të ndryshme, e kanë zgjedhur si Pajtor: Shën Jozefi, fati i Virgjërës Mari e ati i kujtuar i Jezusit, është Shenjti në të cilin virtytet e jetës së krishterë shkëlqejnë me një bukuri e një përsosuri të jashtëzakonshme. Benedikti XVI, që sot kremtoi ditën e emrit, ka folur shumë herë për Shën Jozefin.
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, më 19 mars 2007, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të ndalen me nderim para figurës së shokut të jetës të Virgjërës Mari e Pajtorit të Kishës universale. Më pas kujtoi se Shenjti ka një rëndësi themelore në historinë e shëlbimit. Ai i dha Jezusit sigurinë, që i jep babai të birit e, përmes tij, Jezusi bëhej ligjërisht pasardhës i Davidit, duke vënë, kështu, në jetë, Shkrimet e Shenjta, në të cilat Mesia profetizohej si ‘Bir i Davidit’. Prandaj madhështia e Jozefit – na kujton Papa… :
“… bie edhe më shumë në sy, sepse e kreu misionin në përvujtërinë e në fshehtësinë e shtëpisë së Nazaretit. E ishte vetë Zoti, në Vetjen e Birit të vet të mishëruar, që e zgjodhi këtë jetë e këtë stil – plot përvujtëri e fshehtësi – në jetën e vet tokësore”.
Më pas Papa shpjegoi se nga shembulli i Shën Jozefit buron një ftesë e fuqishme për ta kryer me besnikëri, thjeshtësi e modesti detyrën, që na ka caktuar Provania hyjnore. Mendoj para së gjithash – thekson Ati i Shenjtë - për baballarët e nënat e familjeve e lutem që ta vlerësojnë bukurinë e një jete të thjeshtë e punëdashëse, duke kultivuar me kujdes marrëdhëniet bashkëshortore e duke kryer me entuziazëm misionin e madh e të vështirë edukativ.
Heshtja e Shën Jozefit, krejt në kundërshtim me poterën e komunikimit të kohës sonë, shpjegon Papa në një rast tjetër, përshkohet tej e ndanë nga kundrimi i misterit të Hyjit e nga gatishmëria për të bërë gjithnjë vullnetin e Tij:
“Me fjalë të tjera, heshtja e Shën Jozefit nuk flet për një shpirt të zbrazët; përkundrazi, zemra e tij është përplot me fe. Feja i prin çdo mendimi e çdo veprimi të tij. Urojmë të na e mësojë edhe ne heshtjen, për të cilën kemi aq shumë nevojë, në një botë shpesh herë tepër të potershme, që nuk krijon kushte të përshtatshme për t’u lutur e për të dëgjuar zërin e Zotit”(18 dhjetor 2005).
E pikërisht tri vjet më parë Benedikti XVI kryesonte në Bazilikën e Vatikanit Meshën për punëtorët, pajtor i të cilëve është Shën Jozefi. Në homeli Ati i Shenjtë kujtoi se “Veprimtaria punonjëse duhet t’i shërbejë të mirës së vërtetë të njerëzimit, duke krijuar kushte që njeriu, si individ e si anëtar i shoqërisë, ta kultivojë e ta realizojë plotësisht vetveten dhe i nxiti besimtarët të shenjtërohen përmes punës së tyre, duke i përngjarë Shën Jozefit, të cilit i duhej të mendonte çdo ditë për të plotësuar nevojat e Familjes Shenjte me punën e duarve të veta:
“Dëshiroj t’ia besoj atij të rinjtë që nuk e kanë të lehtë të gjejnë vendin e tyre në botën e punës, të papunët dhe të gjithë ata që vuajnë për shkak të vështirësive të krijuara nga kriza e përhapur e papunësisë – tha Papa dhe në vijim iu lut Shenjtit dhe Virgjërës Mari t’i ruajë të gjithë punëtorët e t’u sjellë paqen e gëzimin familjeve të tyre e mbarë njerëzimit. Duke ecur në gjurmët e Shenjtit, Papa i ftoi punëtorët ta dëshmojnë në çdo mjedis ku punohet dashurinë e Krishtit, që është burim i solidaritetit dhe i paqes së vërtetë (19 mars 2007).RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.