2010-03-19 17:49:36

Shqipëri: në Kuvend vazhdon debati pozitë-opozitë. Fule të zgjidhet kriza nëse synohet anëtarësimi në BE


(19.3.2010 RV)Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka nisur punimet paraditen e sotme, vijon me debatet ndërmjet deputetëve socialistë dhe demokratë lidhur me nismat ligjore të PS-së, për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Deputetë të Partisë Socialiste kanë fajësuar qeverinë për krizën politike dhe ekonomike, që, sipas tyre, ka përfshirë vendin.
Ndërkohë, deputetë të maxhorancës, theksuan se në këto momente historike në prag të liberalizimit të vizave me BE-në, opozita nuk duhet të bëhet pengesë, por të vijojë të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, çka do t'i shërbejë drejtpërdrejt stabilizimit të situatës politike dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Në anën tjetër kemi Deklaratën e Komisionerit Fule para takimeve te tij në Shqipëri, i cili kërkon të zgjidhet kriza nëse synohet anëtarësimi në BE.

"Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë", thuhet në një deklaratë të komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, para takimeve të tij në Shqipëri.
Deklarata e shpëndarë për mediat nga zyra e shtypit e KE-së në Tiranë, thekson se "nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në BE".
"Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian", thuhej në këtë deklaratë.
Komisioneri për Zgjerimin ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare ku po takohet me autoritetet më të larta të vendit për procesin e integrimit në BE. Komisioneri i lartë Stefan Fule, është në Shqipëri si pjesë e vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, përfshirë vizitat në Kosovë Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.







All the contents on this site are copyrighted ©.