(19.03.2010 RV)Me rastin e solemnitetit të sotëm, po kujtojmë këtë lutje aktuale,
kushtuar Shenjtit: O Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj
gati kurrë lutjen time. Të lutem, më fal, por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në
hije. Por sot, ditën e festës sate, dua të të drejtohem pikërisht ty: Shën
Jozef, ti je në hije - a më mirë të themi, në errësirë - ndonëse fare pranë Atij,
që është Drita e botës, e po aq pranë, Nënës së tij të ndritshme. Ti nuk e kundërshton
errësirën. Mësona ta pranojmë edhe ne, kur e ndjejmë veten të harruar e të lënë pas
dore. Na mëso ta duam. Shën Jozef, Ungjilltarët nuk ishin të mendimit se kishte
një vend të rëndësishëm në historinë e Shëlbimit. Përndryshe do të kishin shkruar
shumë më tepër për ty. Ndoshta të fshehën, ashtu si fshihet një perlë e vogël,
që të mund të të gjenin vetëm ata, të cilët kanë sy të vëmendshëm për perlat e vogla. Shën
Jozef, sipas Shkrimit Shenjt, Zoti t'u drejtua vetëm ndër ëndrra. Ta tha në ëndërr
atë që duhet të bëje. Na ndihmo ta dëgjojmë me vëmendje atë që dëshiron të na thotë
Zoti, si kur flejmë, ashtu edhe kur jemi zgjuar. Shën Jozef, ti i pranove sprovat
që të çoi Zoti. Ti e more me vete të fejuarën tënde, që ishte shtatzënë, ndonëse ndokush
të shikoi shtrembër, ndonëse pat edhe njerëz që folën keq për ty, ndonëse për këtë
arsye humbe miq e emër të mirë. Na ndihmo të bëjmë vullnetin e Zotit, edhe kur
na dhemb. Shën Jozef, ti le atdheun, punën, sigurinë, sepsč biri yt - që nuk ishte
yt bir - kishte nevojë për ty. Nuk the: qoftë mallkuar! Nuk ngurrove e as mërmërite.
More në heshtje gomarin e shkopin e i mbrojte Marinë dhe të birin në udhën e gjatë
drejt Egjiptit. Shën Jozef, ti e deshe vashën tënde, Marinë. Pate filluar ta doje,
sepsč ta patën zgjedhur prindërit - por pastaj gjithçka mori tjetër rrugë. Në gjithçka
ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak, sepse këtu ti je aq afër Zotit, sa askush nuk
mund ta kuptojë. Gjithsesi dashuria jote për Marinë, vashën tënde, duhet të ketë
qenë tepër e madhe - ditë për ditë më e madhe. Sepse në fund të fundit ti je Shenjt
e virtyti më i madh i Shenjtorëve është aftësia për të dashur! Shën Jozef, na
mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit; na mëso ta dhurojmë dashurinë. Na mëso
të heqim dorë nga shumë gjëra, për hir të dashurisë. Na mëso dashurinë që të përvëlon
e të bën të vuash. Na mëso atë dashuri që është vërtetë dashuri. Shën Jozef, tregojua
rrugën të gjithë atyre që e kanë humbur. Lute për ta Jezusin, Birin e Zotit. Na
e mëso dashurinë e vërtetë, në kohën tonë, që ka aq shumë nevojë për dashuri! Shën
Jozef, gjatë rrugës së historisë së Kishës, ti gati-gati ke qenë harruar. Erdhën shtyllat
vigane të Kishës, Pjetri e Pali, martirët Shtjefni e Lorenci, dijetarët Agostini e
Ambrozi, studiuesit Toma e Deda, reformatorët Françesku i Asizit e Injaci i Lojojës,
dijetaret e shenjta të Kishës Katerina e Tereza, e erdhën më pas edhe shenjtorët e
kohëve tona, Edit Shtain e Maksimilian Kolbe. Pas këtyre njerëzve, kush nuk e harron
njeriun që e kaloi gjithë jetën në hije, për të cilin nuk dihet asgjë, Jozefin e Nazaretit? Mos
u zemëro, Shën Jozef, në se të gjitha përpjekjet për të të nxjerrë nga hija në dritë
dështojnë njëra pas tjetrës. Edhe punëtorët e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë
ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe vendi, që tashmë ke zënë në Kanunin Romak, nuk
të ndihmon aq shumë. E kjo ndodh sepse ti vetë nuk dëshiron të dalësh nga hija
e nga terri. Më mëso, na mëso, të mos kërkojmë duartrokitjet, dritat e skenës,
publicitetin. E di se kjo është tepër e vështirë, sepse të gjithë kemi dëshirë të
bëhemi të famshëm, të mbulohemi me lëvdata. Shën Jozef, na mëso se të gjitha këto
dëshira të largojnë nga Jezusi; se vetëm ai që pranon, madje ai që e do hijen, gjen
Jezusin e Atin! Shën Jozef, na ndihmo ta pranojmë vendin tonë në hije e në errësirë! Amen!