2010-03-19 16:36:48

Koncert në Vatikan për ditën e emrit të Papës: “Fjalët e fundit të Krishtit në Kryq” kompozuar nga Hajdn.


(19.03.2010 RV)Sot pasdite në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Benedikti XVI ndoqi koncertin “Shtatë fjalët e fundit të Krishtit”, kompozouar më 1786 nga Jozef Hajdn (1732-1809), luajtur nga kuarteti Henschel i harqeve dhe nga mexosopranoja Suzanë Kelling, në variantin e ri të ‘Mundimeve’ të Hajdn-it të Hosè Peris Lakasa, organist nderi në kapelën e Pallatit Mbretëror në Madrid.

“Udhë për të prekur deri në thellësitë e shpirtit edhe dëgjuesin më pak të mësuar me muzikën”: kështu shprehej Hajdn për këtë vepër instrumentale. Shtatë Sonata, një për çdo frazë të shqiptuar nga Krishti mbi Kryq, që nga “Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë”, deri tek “Atë, në duart tua po e lëshoj shpirtin tim”. Lutja e Krishtit – vëren Benedikti XVI – arrin kulmin e vet në Kryq, ku flet fjalët e fundme, mbledhur nga ungjilltarët:
“Atje ku duket se shpërthen në një britmë dëshpërimi: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”(Mt. 27, 46); Mk. 15,34; cfr Sal 21,1), në të vërtetë Krishti bën të vetën lutjen e njeriut që, i rrethuar pa shpresë, nga armiqtë, provon hirin dhe shpëtimin”(Mesha e së Mërkurës së Përhime, 6 shkurt 2008).
Prandaj – nënvizon Papa - mund të themi se nuk ka kundërvënie ndërmjet ankimit: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”, dhe fjalëve plot besim bijnor: “Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!”(Lk 23,46; cfr Ps. 30,6):
“Edhe këto janë marrë nga një Psalm, i 30-ti, lutje dramatike e një njeriu që, i braktisur nga të gjithë, ia beson plotësisht vetveten Hyjit. Lutja plot shpresë është edhe lajtmotiv i Krezhmëve e na bën ta shikojmë Hyjin si spirancën e vetme të shpëtimit. Përballë rrezikut të madh, edhe shpresa duhet të jetë e madhe, e kjo shpresë mund të vijë vetëm nga Zoti (Mesha e së Mërkurës së Përhime, 6 shkurt 2008).
Në Kryq duket qartë pushteti mbretëror i Krishtit, por edhe mbi Kalvar vihen ballë për ballë dy qëndrime të kundërta:
“Disa persona në këmbët e Kryqit, e edhe njeri nga hajdutët, i drejtohen të Kryqëzuarit me përbuzje: “Në se ti je Krishti, Mbreti Mesi – i thonë, duke e përqeshur - shpëto vetveten e zbrit nga kryqi. Por pushteti mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë, sepse manifestohet pikërisht mbi Kryq: Jezusi, i poshtëruar e i tallur, e zbulon lavdinë e tij duke ndenjur mbi Kryq, si Qengj i flijuar. Në mënyrë të papritur hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të drejtit të pafajshëm: e sheh të kryqëzuar, e quan Mbret e i lutet: “Të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde” (Mesha për Koncistorin, 25 nëntor 2007).
E kësaj lutjeje Jezusi i jep përgjigjen e jashtëzakonshme: “Sot do të jesh me mua në Parajsë”, Ja, pra, kjo është fjala që i përmbledh të gjitha fjalët e Jezusit mbi Kryq: Falja!
“Jezusi mund të japë faljen e edhe forcën për të falur, sepse ai vetë i ka pësuar pasojat e mëkatit dhe i ka shkrirë në flakën e dashurisë së tij. Falja vjen nga Kryqi; ajo e shndërron botën me dashurinë, që dhurohet. Zemra e Krishtit, e hapur mbi Kryq, është porta nëpër të cilën hyhet në botën e hirit e të faljes. E vetëm ky hir mund ta shndërrojë botën e t’i japë paqen” (Mesha e Rrëshajëve, 15 maj 2005).RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.