Imzot Vinçenc Prennushi, kryeipeshkëv i Durrësit, në përvjetorin e vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, më 19 mars përkujtojmë vdekjen e ipeshkvit shembullor
imzot Vinçenc Prennushit, kryeipeshkëv i dioqezës së Durrësit.(4 SHTATOR 1885 - 19
MARS 1949)
"..E ngarkuan me bajtë trungje prej rrugës posht e te kodrina ku
gjindëj burgu. Si Krishti n'Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue
të trija herët pa shprehë ankim." Prof. Arshi Pipa Ka le në Shkodër
me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe asht pagëzue me emnin Kolë.
Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit
françeskan. Mësimet e larta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar
me datën 25 mars 1908, dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M. Asht
i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët
ma në za të Rilindjës sonë. Shkruan në revistën "Hylli i Dritës","Lajmtari i Zemrës
së Krishtit", "Zani i Shna Ndout" dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në
gazetën "Ora e Maleve", mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike
dhe demokratike. Ban pjesë në veprimët e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe,
si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë "Rozafat" në Shkodër, me 14
mars 1914, mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit. Në librin "Ndër
lamijet e demokracisë së vërtetë", At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet
të andrruem demokratik të tipit Përendimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën
e sotme. Fusha e përkthimëve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi "Fabiola" dhe
"Quo vadis?", janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri "Gjeth
e lule" mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të larta, mbasi ashtu ishte edhe
pena e tij. At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha
e shërbimit si drejtor'i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue mendimin
se ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i
Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940, Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit.
Kur asht Metropolitan i Durresit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë, Tirana,
përfshihej në Dioçezin e Durrësit (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e
Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Vinçenc Prennushit. Asht e vërtetë se aso
kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohtuna
të Klerit Katolik edhe si politikan, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët
ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe
Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë
lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranes, një "epokë", ku spikatën me punën e tyne
këta kolosë të atdhetarizmës. Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit,
ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi jo vetëm
kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot
Bumçit edhe në fushën politike, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë
pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav
e rus, të vitit 1944. Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit,
po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni, për françeskanët e Shqipnisë dhe
për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano,
ku shprehët kjartë pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë.
Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve, i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi,
i cili deklaron: "Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij - Lekë jo. Dekoratës
nuk i dij as emnin". (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as
nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e
priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist
shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini, (atëherë Abat i Mirditës), në letrën
origjinale të Tij: "........4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit
italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian,
bashkë me Kolegët të tjerë t'Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç
nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës
të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile,
ushtarake e fetare të vendit tonë." (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë). Ndërsa, Imzot
Prennushi deklaron: "Se shka përmban telegrami nuk me kujtohet, ai asht ba nga Metropoliti
i Shkodrës." (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë). Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini,
deklarojnë se, "na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të
Shqipnisë nga Italia.". "Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim", shënon Imzot Prennushi,
dhe i qëndron kësaj fjale deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta,
mbasi veprimet e tija diheshin. Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot
Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi.
Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë.... Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër
në vitin 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës,
ku i rrahu shpatullat "birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës", "shokut të
dashtun" Tuk Jakova, kujtoj si tashti që, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë,
imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin dhe shprehu si zakonisht, "konsideratën"
e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra
Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa.... Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi,
arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në Hetuesi tregon karakterin
burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i parapregatitun
për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: ".....Letra që Imzot Frano
Gjini, u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë
atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue
nga At Meshkalla. Arsyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve
të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Prennushi, e kishte dorzue këte letër
erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit: -Bijt'e
mij, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni
me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né.
I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjigj: -Ecelenza, i dijmë
të gjitha shka ke thanë e, shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej,
duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të
përfunduem, se për 40 vjet komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet! Unë ika. Na
që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist! Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë
si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist, por keni me pa, e ndoshta ma parë tek
unë se shka do t'ju gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë
shpejt". Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue." Kur, Imzot
Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjigjet: "Në Misionin
amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin....Në Tiranë, në një mbledhje të
Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare,
si, dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një
memorandum, me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue
misionëve amerikane e franceze në Tiranë." (Dosja1245). Imzot Prennushi shpjegon
për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: "Hudgson
ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue
mbi çeshtje të përgjithshme, por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh
i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez, ku me kujtohët
se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit, dhe më tha: -Ma
mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t'i bënin rrobe me veshë fukaratë! Nuk
u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë."(po në atë dosje). Për vuejtjet
dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa ndërsa, kush ishte
Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator
1947: "....Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té,
dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët
né na luftojnë deri në zhdukje". Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit
e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten
Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve: 1.Monsinjor
Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe
i Drandës, lindë në Shkodër. 2.Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik,
i biri i Lekës dhe i Marijës, lind në Kthellë të Mirditës. 3.Don Pal Martin Gjini,
datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkodër,
arrestue me 19 maj 1947. Vëndimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon: 1.Don
Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim. 2.Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç
63, me 20 vjet burg. 3.Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie. Vëndimi
i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë
me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor
1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes: "......Don Anton Zogaj
pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë
kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike....Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun
Gjon Vlashi e Palush Koka....". (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori). Gjykata
e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten
Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar, aspirant Thoma Rino, me datën
23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve...."refuzon kërkesën e tyre"....
Arsyeja
e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë: ".....Don
Anton Zogaj dhe dy shokët e tij të akuzuar mohuan, njëkohësisht edhe pohimët e tyre
në proçes-verbalët e hetuesisë në Sigurim, shoqëruar megjithse fjalë për fjalë janë
të njëllojta dhe pa asnjë ndryshim me deponimet e të pandehurve.... Don Anton Zogaj
thotë se unë kam ba një proçes-verbal dhe nuk e pranoj krejtësisht....por më kanë
detyruar.... Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor. Vinçenc Prennushi
deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste, që të mos egzistonte,
kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve." (Dosja 1245, po
aty). Prof. Arshi Pipa, në "In memoriam", për Imzot Prennushin tregon: "Kur gjyqi
ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë,
fjala e tij e mbrojtjes qe: "Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë". Dosja
mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars
1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës: "Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën
e fundit para ekzekutimit: Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo
asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi - ju lutëm që trupin tem t'ma çoni në
Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua
dhe u konstatua nga doktori se kishte vdekë." Prokurori Publik i qytetit të Durrësit (
Muharrem Rugia) d.v. Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër,
11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik. Pra, vërehët deshira
dhe pangopësia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë.
Po
cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit? Don Anton
Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948. Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun
e Durrësit me 19 mars 1949. Don Pal Gjini "lirohët" i sëmurë nga burgu i Shkodrës,
në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi. Kishe me thanë, se Dosja 1245 asht mbyllë formalisht
me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri
me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta,
nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar,
tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e shpesh, mashumë me të
vdekun se me të gjallë. Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: "Lufta
ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste, që të mos egzistonte..", mu kujtue
Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: "Jam kenë gjithmonë kundër
komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë
dhe do të vazhdoj me kenë kundër, deri në vdekje...." (Dosja Monsinjor Ernesto Çoba
me grupin.). Edhe Imzot Çoba, dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës.
Tue
lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën "Zani i Shna Ndout", kallnuer
1930, me titull "Nji e stigmatizueme e ditve tona", u ndalova një çast në takimin
që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila
i kishte thanë: "Do të keshë nji aksident rrugor, Do të bahësh Ipeshkëv dhe, Mbas
13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË".
Dhe, me të vërtetë,
në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh'Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët
e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të mekun:
" PAK DRITË ! - MEHR LICHT !"....
Jo, jo ! Imzot! SHUMË
DRITË I DHA SHPIRTI YT FESË,NJERËZVE, ATDHEUT E KULTURËS, ME 19 MARS 1949. Mars
1999