2010-03-18 15:25:18

Çelësi i fjalëve të Kishës:'eskatologjia'


(18.03.2010 RV)Të dashur dëgjues, jemi në periudhën e Krezhmëve, që u paraprin Pashkëve të Ringjalljes, festës më të madhe të krishterimit. Dëgjojmë shpesh të flitet për “eskatologjinë”, shkencë që merret gjërat e fundit, çështjet e mbramë të ekzistencës tokësore të njeriut dhe të rejat e jetës së amshuar, e tërë kjo në dritën e ngjarjes së Krishtit e të Ngjalljes së tij.
Me pak fjalë “eskalogjoia” merret me të vërtetat e fundit e të përfundimtare të jetës, të botës e të historisë që lidhen me misterin e Pashkëve të Krishtit. Kështu eskatologjia është reflektim mbi sendet e mbrame që kanë të bëjnë me njeriun( vdekja, gjykimi, jeta me Zotin, dënimi), si për botën mbarë (fundi i botës, kthimi i Hyjit). Të përpiqemi të kuptojmë se ç’do të thotë kjo fjalë
Ky termteknik” i teologjisë është përdorur për herë të parë nga një teolog luteran i viteve 1600, i cili quhej Abraham Kalov. Ai e ndërtoi këtë fjalë duke shfrytëzuar dy fjalë greke: “éschata”, që do të thotë “realiteti i mbramë” dhe “logos, që do të thotë “diskutim”. Pra, kemi të bëjmë me një reflektim mbi botën e përtejme, pas jetës tokësore, reflektim, që është kthyer në të vërtetë në një analizë mbi gjykimin e mbramë, mbi parajsën, ferrin e purgatorin. Teologjia bashkëkohore ka një përqasje më të përgjithshme, duke u përpjekur të ndërthurë historinë dhe të ardhmen e njeriut, shëlbimin përmes Hirit hyjnor dhe plotësimin përfundimtar të jetës e të bashkimit me Zotin. Nga “doktrinë e gjërave të mbrame”, eskatologjia është shndërruar në një këndvështrim gjithëpërfshirës mbi planin shëlbues hyjnor, që fillon në mendjen e Zotit, realizohet në histori, ka zhdërvillimin e tij kryesor në Krishtin dhe plotësohet kur “Zoti do të jetë të gjithë ne” (1 Kor 15,28).
Reflektimi bëhet kështu më i ndërlikuar, por më thelbësor e, pavarësisht se sheh drejt horizontit të mbramë, nuk e shkëput atë nga historia: në të lulëzon e ardhmja, sepse “mbretëria e Zotit është tashmë në mesin tuaj” thotë Ungjilli i Shën Lukës (17,21) – dhe se “kush beson në Krishtin nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani” (Gjn 3,18). Si fara e mbjellë në tokë, shëlbimi rritet e lulëzon, duke u pjekur deri në frytin e plotë. Të drejtët, që tani kanë “një shpresë plot pavdekësi” (Urt 3,4), por dinë edhe se do të pranohen të marrin pjesë, përtej kohës e hapësirës,në trashëgimin e shenjtërve në dritë: Ati na nxorri nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur” (Kol 1,12-13).
Konceptimi apokaliptik, që është shumë i pranishëm në Shkrimin Shenjt, por sidomos në Ungjijtë apokrifë, kishte prirjen të ndante historinë e së tashmes, parë si vend i mëkatit dhe i së keqes, nga “éschaton”, pra nga realiteti i mbramë dhe i amshuar. Ndërsa, këndvështrimi “eskatologjik” përpiqet të gjejë edhe në të tashmen rreze të shpëtimit, duke pritur shëlbimin e plotë, jo vetëm të njerëzimit, por të krejt kozmosit, siç shpall Shën Pali Apostull në kapitullin VIII të Letrës drejtuar Romakëve. Ngjallja e Krishtit mbjell farën e amshimit dhe të jetës në kohë e në vdekje, për të udhëhequr qënien e shëlbuar drejt plotësimit të shëlbimit.
“Kur ky trup i shkatërrueshëm të veshë pashkatërrueshmërinë, dhe ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit Shenjt: ‘Vdekja u përpi në fitore. O vdekje, ku është ngadhnjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?” (1Kor 15,54-55). Në atë çast të fundmë do ta ndahet e mira nga e keqja, gruri nga egjra; dashuria do të jetë objekt i gjykimit, që do të vulosë historinë dhe veprat njerëzore (shih Mt 25,31-46); “as vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimba” e do të duket “një qiell i ri e një tokë e re” (Zb 21,1.4), kurse “frikacakët, të pafetë dhe të ndytët, vrastarët e fëlligshtarët, shortarët dhe idhujtarët dhe të gjithë rrenacakët trashëgimin e kanë në liqenin që digjet me zjarr dhe me sulfur”, pra larg nga drita e jeta hyjnore (21,8). Ndërsa jetojmë kohën tonë, në historinë e njerëzimit e të botës, “Shpirti Shenjt dhe Nusja thonë: Eja!... Eja, o Zot, Jezus!”. Dhe “Ai që i dëshmon këto thotë: ‘Po, po vij për së shpejti!” (shih 22,17-20).







All the contents on this site are copyrighted ©.